Enver Hasani në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Enver Hasani: Aktakuza Hakmarrje Ordinere

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, aktakuzën ndaj tij për çështjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë e vlerësoi hakmarrje ordinere.

Hasani në seancën fillestare të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë u deklarua i pafajshëm në lidhje me akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti.

Seanca e radhës e këtij gjykimi sipas gazetarit të KALLXO.com u caktua të zhvillohet më 11 tetor.

Në seancën e kaluar të zhvilluar më 15 korrik, Hasani pas konsultimit me avokatin e tij Bajram tmava, nuk u deklarua rreth fajësisë ose pafajësisë.

http://kallxo.com/enver-hasani-nuk-deklarohet-rreth-fajesise/

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në emisionin “Jeta në Kosovë”.