Foto: Durim Shala/ KALLXO.com

Foto: Durim Shala/ KALLXO.com

Pse nuk u kërkua të zbatohet vendimi për Fabrikën e Tubave, por vetëm për pronat e Manastirit të Deçanit?

Nga ajo që është prezantuar në publik dhe është ripërsëritur vazhdimisht është që arsyeja se pse është kërkuar që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët tokë që të regjistrohen si prona të Manastirit të Deçanit, është që të tregohet haptazi që në Kosovë sundon ligji dhe që nga pushteti ekzekutiv respektohen vendimet e larta pushtetit gjyqësor.

Kështu tha edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, duke theksuar që ka qenë e pamundur që të largohet ky kusht që ‘në sytë e Këshillit të Evropës (KiE), nga Strasburgu ata e shohin sundimin e ligjit si shtyllën kryesore që e përcakton pastaj edhe drejtësinë përbrenda vendit por edhe demokracinë dhe zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”.

Por, pse nuk u kërkua nga Këshilli i Evropës që të argumentohet fuqia e sundimit të ligjit në Kosovë përmes zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses për Fabrikën e Tubave në Ferizaj?

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti thotë që nuk janë ata që i kanë vendosur kushtet vetes, por vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit ka qenë i vetmi që është kërkuar se ka qenë i panegociueshëm dhe i menjëhershëm për shkak se prek komunitetet jo-shumicë.

“Nuk jemi ne ata që e kemi vendosur kushtet vetes, kanë qenë ata që na i kanë vendosur kushtet neve. është përmendur edhe ky rast, por siç duket sipas argumentimit të tyre ky rast (i Manastirit të Deçanit) ka të bëjë me minoritetet etnike, prandaj ka marrur edhe një ndjeshmëri më të madhe duke pasur parasysh natyrën e Këshillit të Evropës. Por kjo është nda me ne qe sa kohë për raportueset por edhe me lobimin që e kemi bërë me Asamblenë Parlamentare dhe Komitetin e Ministrave”- tha Ahmeti në një intervistë për “KallxoPërnime”.

Sipas Ahmetit, për Këshillin e Evropës ka qenë shumë i rëndësishëm të tregojnë funksionalitetin e të gjitha institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës që kur të jetë anëtare e KiE të jetë në gjendje t’ zbatojë të gjitha vendimet që mund t’i marrë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pra ky ka qenë argumenti i tyre gjatë bisedave që keni pasur”- tha Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13.03.2024 se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Çështja e kthimit të 24 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit është aktuale tash e disa vjet, duke nxitur herë pas here mosmarrëveshje mes udhëheqësve të shtetit dhe të manastirit, marrë parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe evropianë.

Përndryshe, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj kishin protestuar me dhjetëra herë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Në vitin 2000, të larguarit me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999, e paditën fabrikën në Gjykatën Komunale në Ferizaj, në kërkim të së drejtës personale. Gjykata vendosi që atyre t’iu jepej kompensimi për 10 vjet sa nuk kishin marrë paga. Vendimin e Gjykatës Komunale e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por shumën në vlerë prej më shumë se 30 milionë eurosh, të 912 punëtorët nuk i kanë marrë asnjëherë.

Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim në mars të vitit 2014, ku parashihet që kompensimi të bëhet në tri faza: në fazën e parë 50 për qind e në dy fazat e tjera nga 25 për qind. Mbi 900 punëtorët e kësaj fabrike, të larguar nga puna në vitin 1990 nga administrata serbe e asaj kohe, fituan me gjyq të drejtën e kompensimit prej 26 milionë eurosh, por nuk i kanë marrë ende këto para.

Fabrika ishte shitur për 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007.