Elezi: Numërimi i Votave me Kusht Nis Nesër

Pasi Gjykata Supreme rrëzoi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren, nesër nis numërimi i votave të mbetura pa numëruar nga këto komuna.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha për KALLXO.com se numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me aftësi të kufizuar nis të dielën.

Sipas Elezit në fillim do të rinumërohen votat e disa vendvotimeve në komunat e Dragashit dhe Rahovecit.

“Nesër në orën 10:00 do të fillojë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve rinumërimi i 35 vendvotimeve nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Dragashit dhe 3 vendvotimeve nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Rahovecit dhe më pas edhe numërimi i votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë nga këto dy komuna”, Tha Elezi.

Pas përfundimit të këtij numërimi, do të fillojë edhe ai për votat  me kusht, ato me postë dhe votat e personave me aftësi të kufizuara në komunat Prishtinë e Prizren.

“Pas përmbylljes së këtyre dy komunave do të fillojmë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Prishtinës dhe pastaj edhe të atyre për Komunën e Prizrenit”, tha Elezi.

KALLXO.com shkroi për vendimin e Supremes që rrëzoi rinumërimin në Prishtinë e Prizren.

http://kallxo.com/supremja-shfuqizon-vendimet-e-pzap-per-prishtinen-dhe-prizrenin/

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për gazetarë e kërkoi sot vazhdimin e numërimit të votave të mbetura në dy komunat kryesore të vendit.

http://kallxo.com/vetevendosje-te-paligjshme-flete-arrestet-per-deputetet/