Siri
Edhe një Kosovar Vritet në Siri
Edhe një qytetar i Kosovës është vrarë në konfliktin e Sirisë.
KALLXO.com merr vesh se ky person është nga fshati Palabardh i komunës së Gjakovës.
Sipas burimeve të KALLXO.com, familjarët tashmë janë njoftuar për vdekjen e anëtarit të familjes dhe po përgatiten të hapin të pame.
Të njëjtat burime nuk kanë sqaruar rrethanat e vdekjes së këtij qytetari të Kosovës në vendin e Lindjes së Mesme i përfshirë dhe shkatërruar nga lufta.
Me gjithë përpjekjet, KALLXO.com nuk ka arritur të kuptojë se kur kishte shkuar në Siri ky shtetas i Kosovës dhe nëse ka qenë pjesë e ndonjë organizate ekstremiste që po lufton atje.
Në qershor KALLXO.com raportoi se familja e Lavdrim Muhaxherit hapi të pame për vdekjen e tij në Siri.
http://kallxo.com/video-e-pamja-per-lavdrim-muhaxherin-ne-kacanik/
Muhaxheri konsiderohej si komandant i shqiptarëve që luftonin nën flamurin e organizatës terroriste ISIS në Siri e Irak.
Përveç Muhaxherit, në luftën në Siri e Irak janë vrarë edhe dhjetëra qytetarë të Kosovës.
Vitin e kaluar, kur ka raportuar para Komisionit për Siguri, ish-ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ka thënë se sipas informacioneve që posedonte Ministria, në Siri e Irak janë vrarë 57 qytetarë të Kosovës.
http://kallxo.com/afer-140-kosovare-ne-lufterat-ne-siri-e-irak/
Sipas ish-ministrit, në këto dy vende ishin ende 70 kosovarë luftëtarë aktivë si dhe 38 gra e 27 fëmijë.