Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Dy Vjet Qeverisje të Njeriut që Korrupsionin e Konsideron Perceptim

Isa Mustafa që u zgjodh kryeministër në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dy vjet më parë, në fillim të mandatit pati premtuar se luftimi i korrupsionit do të jetë prioritet i tij.

Por në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit të ftuar nga Presidenti Thaçi më 18 nëntor të këtij viti, Mustafa korrupsionin  e konsideroi më shumë perceptim.

“Kam përshtypjen se për sa aq ne kemi punuar dhe jemi përkushtuar për këtë [luftën kundër korrupsionit] për aq edhe janë rritur perceptimet për prezencën e korrupsionit në shoqërinë tonë,” tha Mustafa në këtë mbledhje.

Megjithatë, Sokol Havolli, shef i kabinetit të Kryeministrit, tha për KALLXO.com se Mustafa gjatë mandatit të tij të deritashëm e luftoi korrupsionin.

“Ku ka pasur informatë për ndonjë zyrtar, qoftë i ulët, qoftë i lartë që është në hetime për ndonjë vepër korruptive, është suspenduar nga Kryeministri,” tha Havolli, duke përmendur numrin prej 50 zyrtarëve të tillë, pa e dhënë asnjërin me emër.

Në gusht të vitit të kaluar Gazeta Jeta në Kosovë shkroi se Zyra e Kryeministrit u dha tender për servisimin e një BMW-je të saj djemve të Kryeministrit Isa Mustafa.

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

Rezultatet në luftimin e korrupsionit janë njëri nga dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash të kosovarëve.

Prandaj në mbledhjen ku Mustafa foli për korrupsionin si perceptim, ambasadorët e huaj kërkuan luftë të fuqishme kundër kësaj dukurie.

“Një këshill i tillë [Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit]është shumë i mirëseardhur për të treguar vullnetin politik. Por, mendoj që është shumë e rëndësishme që të merren hapat konkretë,” tha ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connel para tri javësh.

E fjala korrupsion përmendet plot 83 herë në raportin e progresit për vitin 2016. Një vit më parë kjo fjalë ishte përmendur 17 herë më pak.

“Kosova është në fazën e hershme në luftimin e korrupsionit”, është njëri ndër konkludimet më të përsëritura në këtë raport.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/

Rezultatet në luftimin e korrupsionit janë njëri nga dy kushtet e e fundit të BE-së për liberalizim vizash të kosovarëve. Kushti tjetër është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Por, kështu nuk mendon Sokol Havolli, shef i kabinetit të Kryeministrit.

“Kushti aktual i vetëm për liberalizim të vizave është demarkacioni,” tha Havolli për KALLXO.com.

Kriteret [jo kriterin] e mbetura për liberalizim ua rikujtoi dje qeveritarëve edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon.

“I bëj thirrje Kosovës që të mblidhen urgjentisht për kushtet e fundit të mbetura për udhëtimin pa viza. Ekziston një dritare shprese,” shkroi Fajon në Twitter.

http://kallxo.com/tanja-fajon-ben-apel-kosoves-per-vizat/

E fiks një muaj më parë, raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunacek, kishte përmendur dy kriteret e mbetura.

“Drita e gjelbër nga Komisioni Europian për liberalizim të vizave sapo të përmbushen dy kërkesat e mbetura, ishte lajm shumë i mirë. Tash topi është në duart e Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë,” kishte thënë ajo.

http://kallxo.com/lunacek-demarkacioni-te-ratifikohet-patjeter/

Ndërsa vitin e kaluar Lunacek ishte treguar e ashpër me qeveritarët në Kosovë.

“Pra, mund të themi që kjo ndodh në një perspektivë shumë të gjerë, mirëpo është e vërtetë që institucionet e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës nuk janë duke bërë sa duhet, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, e po ashtu sistemi i drejtësisë,” deklaroi atëherë Lunacek.

Lunacek: Kosova Nuk po e Lufton sa Duhet Korrupsionin

Megjithatë i pyetur a është perceptim a realitet korrupsioni në Kosovë, Sokol Havolli ripërsëriti qëndrimin e shefit të qeverisë.

“Natyrisht [perceptim], edhe raporti i ‘Transparency International’ e konfirmon këtë,” tha Havolli për KALLXO.com.

E në hapje të “Javës Kundër Korrupsionit” ambasadori amerikan Greg Delawie tha se kjo dukuri nuk është temë ere në Kosovë.

“Sondazhet kanë treguar se njerëzve në Kosovë ende u mungon besimi në korrektësinë e gjyqësorit të tyre,” tha Delawie.

I ashpër në këtë temë ishte edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.

“Mos e pranoni[korrupsionin] kurrë në çfarëdo niveli, sepse do t’ua minojë të gjithë shtetin,” tha O’Connell.

http://kallxo.com/ambasadoret-korrupsioni-e-minon-shtetin/

“Fjalia ‘Zero tolerancë ndaj korrupsionit’ edhe këtë vit mbeti vetëm premtim dhe jo zbatim nga qeveritarët tanë”, tha sot në konferencën përmbyllëse të Javës Kundër Korrupsion,  Majlinda Kurti nga KDI-ja.