Ish-inspektori i ndërtimit në Prizren deklarohet për fajësinë për mos rrënim të ndërtimit pa leje

Ish-inspektori ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu në rigjykim është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Musliu nga Gjykata e Prizrenit në maj të vitit 2022, ishte dënuar me dënim unik prej 14 muajsh burgim efektiv por që më pas Apeli këtë rast e ka kthyer në rivendosje.

Në shqyrtimin e së premtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari Musliu u deklarua i pafajshëm.

Seanca më tej ka vijuar me fjalën hyrëse të palëve të cilët qëndruan si në deklarimet e më hershme dhe me dëgjimin e dëshmitarëve.

Dëshmitarët Veron Aliu dhe Islam Thaçi qëndruan në tërësi si në deklaratat e dhëna në vitin 2021.

Seanca e radhës u caktua për më 10 tetor 2023.

Sipas aktakuzës të datës 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se prej 23 maj 2017, e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, thuhet se në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017, sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanajt ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Raportimit e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.