Edhe dy muaj paraburgim të dyshuarit për fajde

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ia ka vazhduar paraburgimin të dyshuarit për fajde, Beqir Hoxha.

Burime të KALLXO.com kanë bërë me dije se masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për dy muaj.

Hoxha ishte arrestuar muajin e kaluar nën dyshimin për fajde. Me kërkesën e prokurorit Petrit Kryeziu të dyshuarit i ishte caktuar një muaj paraburgim. Kërkesa ishte aprovuar nga gjykatësja Ajser Skenderi

Gjendja e rëndë financiare dhe rimëkëmbja e biznesit kishin detyruar babë e bir që të kërkojnë para borxh.

Sipas dosjes së Prokurorisë 11 mijë euro u morën nga të dëmtuarit ndërsa u detyruan që t’i kthejnë shumë më tepër për shkak të kamatave të cilat i kishte vendosur personi i dyshuar që ua dha paratë me fajde.

Dosja e Prokurorisë sqaron se nga muaji qershor 2016, deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, Beqir Hoxha me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit dhe prindit të tij (tani i ndjerë) pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe u duheshin të holla për të investuar në biznesin individual-familjar – zdrukthtari.

Fillimisht dosja thotë se babai i të dëmtuarit në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri shumën prej 6 mijë euro dhe me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 600 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga viti 2016 e deri në prill të vitit 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, ka vazhduar të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total shumën prej 49 mijë e 200 euro.

Sipas Prokurorisë, i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, i dëmtuari merr nga i pandehuri B. H., shumën e të hollave prej 3 mijë euro ndërsa nga i njëjti në muajin mars merr 2 mijë euro. I dëmtuari paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 e deri në muajin janar 2023 në emër të shumës prej 5 mijë euro, vazhdon të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit 29 mijë euro

Në total, sipas Prokurorisë, i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

Kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguajë kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, i dëmtuari për çdo vonesë duhet të paguajë nga 200 euro kamata ditore.

Me këtë, sipas Prokurorisë, Beqir Hoxha kishte kryer veprën penale – fajdeja.