Gjykimi per kontrabande me duhan-Foto:KALLXO.com
Gjykata e Prizrenit miraton kërkesat për sigurimin e provave në rastin e doganierëve të akuzuar për rastin me 80 mijë kg kontrabandë me duhan
Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e mbrojtësve për sigurimin e kërkesave dhe urdhëresave në rastin ndaj nëntë doganierëve dhe të tjerëve të akuzuar për rastin e kontrabandimit të 80 mijë kilogramëve duhan.
Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimaj për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Nga ana tjetër, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale – kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.
Rasti po udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi me anëtaret gjykatëset Teuta Krusha dhe Kymete Kicaj. Ndërkaq, aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Ervehe Gashi.
Në seancën e së hënës, avokatja Shpresë Bakija, mbrojtëse e të akuzuarit Dritan Hasimaj, ka propozuar që të administrohen dhe sigurohen disa prova si procesverbali mbi bastisjen e shtëpisë së të akuzuarit Mevlan Arifaj, mesazhet e nxjerra në mënyrë retroaktive, urdhëresën për zgjatjen e masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, urdhëresën për përgjimin e telekomunikimeve.
Avokatja gjithashtu ka kërkuar masat e fshehta për 60 ditë, regjistrin e bisedave dhe sigurimin e raportit të përgjimeve të vitit 2020, duke theksuar nevojën për këto prova në mbrojtje të klientit të saj.
Kërkesën e mbështeti edhe avokatja Elvira Heta-Vata, mbrojtëse e të akuzuarit Vullnet Syla, dhe mbrojtësit e tjerë që theksuan se Prokuroria duhet t’i dorëzojë këto urdhëresa në email të avokatëve për hir të efikasitetit dhe ekonomizimit të kohës.
Për këtë çështje, prokurorja Ervehe Gashi ka bërë të ditur se janë përgatitur CD për të shpërndarë dokumentacionin në mënyrë që mbrojtja të ketë qasje në provat e nevojshme. Megjithatë, duke pasuar kërkesat e mbrojtjes në lidhje me masat e fshehta, Gashi ka shtuar se fillimisht do të sigurohen kërkesat e Prokurorisë drejtuar Gjykatës pastaj të procedohet me administrimin e provave nga mbrojtja.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses Shpresë Bakija që Prokuroria të sigurojë kërkesat për urdhëresat e lartcekura, gjithashtu, gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për ftesën e një përfaqësuesi të autorizuar të Doganave të Kosovës në seancën e radhës.
Me kërkesën e mbrojtësit, Teki Bokshi, pasiqë ishte paraparë të mbahej mbledhja dhe zhvillimi i zgjedhjeve në OAK të Gjakovës, gjykimi i nesërm u anulua.
Seancat e radhës janë caktuar për më 1 dhe 2 shkurt 2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.
Të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra nga neni 317, par. 2, veprën penale shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore, nga neni 318, par.2 si dhe veprën penale tregti e ndaluar-neni 305, par. 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.