Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë. Foto: KALLXO.com

Disa mjekë në Gjinekologji tentojnë ta zgjedhin drejtorin me ‘peticion’

Një grup i mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë nënshkruar në një letër për t’i dalë në përkrahje drejtorit të zgjedhur në konkursin e fundit Jakup Ismajlit.

Njëri nga mjekët që e ka nënshkruar peticionin Selman Demolli tha për KALLXO.com se kjo është përkrahje për Ismajlin por mohoi të jetë organizatori i atij ‘peticioni’.

“Nuk është peticion është një letër përkrahëse, nuk e di kujt do t’i dorëzohet. Nuk kam çka me bisedu, unë jam vetëm një nga mjekët që ka nënshkru”, tha ai.

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka hulumtuar për parregullsitë për zgjedhjen e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë.

Parregullsitë në zgjedhjet për Drejtor të Gjinekologjisë në QKUK

Statuti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës thotë se kandidati për drejtor të Klinikës duhet të ketë thirrje akademike apo shkencore dhe në mungesë të këtyre kandidatëve të zgjedhen kandidatët me grada më të ulëta.

Në konkurset e fundit për drejtor të Klinikës së Gjinekologjisë është zgjedhur dy herë Jakup Ismajli, mjeku që ka veç thirrje të specialistit.

Konkursi i parë ishte anuluar për shkak të ankesës së drejtoreshës në largim Myrvete Paqarada.

Në konkursin e parë përballë Ismajlit, përveç Paqaradës ishte edhe Vlora Ademi Ibishi.

Ademi Ibishi është gjinekologe dhe asistente e rregullt në Katedrën e Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë është edhe doktor i shkencave mjekësore..

Ndërsa në konkursin e dytë, kundërkandidatë të Ismajlit ishin Curr Gjocaj, magjistër i shkencave mjekësore; Naser Rafuna, magjistër i shkencave mjekësore; Brikena Dacaj, profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë dhe doktor i shkencave mjekësore; dhe Vlora Ademi Ibishi, profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë dhe doktor i shkencave mjekësore.

https://kallxo.com/parregullsite-ne-zgjedhjet-per-drejtor-te-gjinekologjise/

https://kallxo.com/curr-gjocaj-do-te-ankohem-per-konkursin-e-drejtorit-te-gjinekologjise/

https://kallxo.com/arsyetimi-i-komisionit-per-perzgjedhjen-e-drejtorit-te-gjinekologjise-jashte-kritereve/