David Hale, Nën-Sekretar Amerikan i Shtetit. Foto: ShareAmerica/Youtube

Diplomati amerikan: Të ndalen provokimet Prishtinë - Beograd

Nënsekretari Amerikan i Shtetit, David Hale do ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën këtë javë.

Në një intervistë për gazetën serbe ‘Danas’, Hale ka thënë se nuk munden “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo dikush tjetër që të përcaktojë rezultatin final pas bisedimeve Prishtinë-Beograd, raporton rtv21.tv.

“Ekziston mundësia që një zgjidhje përfundimtare të arrihet këtë vit, por vetëm nëse vazhdon dialogu. Është koha të ndalen provokimet nga të dy anët, të hiqet taksa dhe të dy vendet të vazhdojnë dialogun që udhëhiqet nga Bashkimi Evropiane dhe të arrijnë paqen”, ka thënë ai.

Sipas Hale, SHBA-të nuk kanë ndonjë recetë për zgjidhjen dhe thekson se vetëm Beogradi dhe Prishtina mund ta gjejnë zgjidhje.

Hale më tej ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta diktojnë rezultatin përfundimtar.

“Udhëheqësit dhe ekipet e tyre duhet të rinovojnë negociatat e drejtuara nga BE, të eksplorojnë të gjitha mundësitë dhe të komunikojnë me qytetarët e tyre me ndershmëri dhe haptazi. Në këtë proces, udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës kanë mbështetjen tonë të plotë”, ka thënë Hale.

Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale do të vizitojë Kosovën më 9 mars, ndërsa një ditë më herët do të qëndrojë në Beograd.