Dialogu për investime. Foto: Zyra e Kryeministrit

Dialog për Kthimin e Kosovës në Vend ku Investohet

Kryeministri Isa Mustafa u paraqit i kënaqur me lansimin e këtij dialogu.

Sipas tij, bartja e dijes dhe e teknologjisë nga investitorët evropianë paraqet kontribut afatgjatë për ekonominë e Kosovës, në mënyrë që këto përvoja t’i marrim dhe t’i implementojmë në Kosovë.

“Është kënaqësia e imja sot që të bëjmë lansimin e dialogut me investitorët evropianë, një sektor të rëndësishëm për ne. Si në sektorin e minierave, mineraleve, sektorin financiar, sektorin e telekomunikacionit ku njëherësh kemi edhe investime të vazhdueshme dhe thelbësore me efekte shumë pozitive për ekonominë tonë,” tha Mustafa.

Ai më tej foli për klimën e favorshme që ofron Kosova, por përmendi edhe problemin me energjinë elektrike si njërin ndër pengesat për të bërë biznes, duke thënë se po punohet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se të mos kesh një ambient të parashikueshëm kur rregullat janë të qarta është njëra prej ankesave kryesore që kanë bizneset.

Sipas  Zhhbogarit, në takime të tilla si ky i sotmi identifikohen problemet që pengojnë investitorët.

“Kemi identifikuar një numër të çështjeve të tilla konkrete. Qëllimi i këtij takimi është që të gjitha autoritetet përkatëse relevante të vendosen në të njëjtën tryezë dhe të diskutojnë problemet, të konfrontojnë qëndrimet kundërshtuese dhe të gjejnë  zgjidhje më të mira,” tha Zhbogar.

Zhbogar shtoi se kjo nuk është vetëm një konferencë diskutimi , por kthim i diskutimeve në veprime konkrete.

“Prandaj kjo ngjarje nuk duhet të shihet si një prej konferencave ku ne diskutojmë për çështjet. Në vend të kësaj duhet të konsiderojmë si platformë ku diskutimet konstruktive do të transformohen në veprime konkrete, vendime ose edhe sqarime që kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit për biznes që do të stimulojë investitorët e tanishëm dhe që do të tërheqë investitorë të rinj,” tha Zhbogar.

Kryetari i Këshillit të Investitorëve Evropianë Emanuel Mitsou tha se BE-ja  është partneri kryesor në tregtinë ndërkombëtare të Kosovë dhe  disa çështje sipas tij duhet zgjidhur me mirëkuptim.

“Ne mendojmë se për momentin kemi një dialog të vogël, të cilin po e fillojmë tani, por nëse jemi sa do të mirë që të marrim vendime të përbashkëta, nuk do të hapim vetëm rrugën për investitorët evropianë dhe amerikanë, por do të hapim edhe kulturë të re për sipërmarrësi apo ndërmarrësi që prek qytetarë lokalë,” tha Mitsou.