Seanca gjyqesore ndaj Hajrullah Bonakaj

Dëshmia e pacientes në gjykimin e mjekut të akuzuar për trajtim të papërgjegjshëm në spitalin privat "Heart"

Në gjykimin e mjekut Hajrullah Binakaj, i akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, pacientja R.A. kërkoi që t`i kompensohet dëmi dhe stresi që ka përjetuar ajo dhe familja e saj.

R.A., në dëshminë e saj të dhënë sot në seancën ku i akuzuar është mjeku Hajrullah Binakaj, ka rrëfyer gjithë përjetimin e saj, që nga momenti kur kishte filluar kontrollet tek kardiologu në spitalin Privat “Heart” në Gjakovë gjatë viteve 2003-2010.

Sipas pacientes R.A., e cila vuante nga një sëmundje e zemrës, ajo për 7 vite radhazi ishte kontrolluar te i akuzuari Hajrullah Binakaj dhe kishte marrë terapi dhe se për çdo kontrollë kishte paguar nga 20 euro.

“Pasi që kam bërë kornografinë e zemrës nga doktori Vlladimir Kortevski në spitalin “Heart” në Gjakovë, për të cilën kam paguar 750 euro, mjeku Hajrullah më ka thënë që pas 6 muajve do të shërohesh. Mirëpo, gjendja ime nuk është përmirësuar aspak. Në këtë intervenim kanë qenë prezent edhe doktori Zeqë Kuqi dhe Hajrullah Binakaj”, tha dëshmitarja, ish-paciente e spitalit “Heart”.

R.A. tregoi se pas kësaj periudhe prej 7 vitesh kishte shkuar në kontrollë në spitalin e Shkupit “Cistina” dhe ata menjëherë i kishin bërë intervenimin elektrofiziologjik, ku më pas ajo tha se ishte ndier shumë mirë dhe se nuk kishte përdorur asnjë terapi tjetër.

Doktori Hajrullah Binakaj, i akuzuar për veprën penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor u deklarua i pafajshëm, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Tofaj.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, i pandehuri Hajrullah Binakaj dyshohet se kishte përdorur një metodë të papërshtatshme të mjekimit, duke mos i ofruar pacientes trajtimin e duhur-intervenimin elektrofiziologjik.

“Mjekët e Shkupit thanë që ky intervenim ishte i domosdoshëm, për të cilin intervenim atje kam paguar 270 euro”, deklaroi  ish-pacientja R.A.

Ajo tha që si pasojë e tensionit të lartë në atë kohë, tash ka probleme me të dëgjuar dhe se nuk dëgjon mirë.

Mbrojtësi i të akuzuari avokati Teki Bokshi, tha se aktakuza nuk ka mbështetje në prova të mjaftueshme.

Prokurori Ismet Tofaj i propozoj gjykatës që shqyrtimi i sotëm gjyqësor të shtyhet për një datë tjetër.

“Propozoj që seanca e sotme të shtyhet dhe e dëmtuara R.A. të sjellë gjithë dokumentacionin e saj në origjinal dhe të na e prezantoj në kopje, në mënyrë që të kemi kohë ta analizojmë të njëjtin dokumentacion”, deklaroi prokurori Tofaj.

Prokuroria po akuzon Hajrullah Binakaj, se në periudhën prej 6-7 vite në cilësinë e mjekut- internist në Gjakovë, pranë spitalit “Heart” ka kryer veprën penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas aktakuzës i njëjti ka përdorur terapinë e barnave e pastaj ka intervenuar me konarografi duke hapur damarët e zemrës dhe me këtë ka shkaktuar përkeqësim në gjendjen e pacientes R.A. E gjithë kjo kishte rezultuar me dëmtimin e rëndë të shëndetit sipas aktakuzës.

Gjyqtari Mentor Bajraktari seancën e radhës e caktoj në muajin Tetor.