Deputetët e Koalicionit Nuk i Përgjigjen Diskutimit për Raportin e Korrupsionit

Anëtarët e Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete diskutuan sot për raportin e Transparency International i cili në publikimin e fundit e nxjerr Kosovën si vendin më të korruptuar në rajon. Gjatë këtij diskutimi u tha se shkalla e nivelit të korrupsionit në Kosovë interpretohet si matje që i atribuohet gjithë shtetit.

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se edhe pse në pozicion të mirë nga viti i kaluar, Kosova në ketë raport qëndron prapë e fundit në krahasim me vendet e rajonit, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia.

Po ashtu, ai tha se shëndetësia dhe gjyqësori vazhdojnë të jenë sektorët me nivelin më të lartë të korrupsionit. Problem, sipas tij, mbetet edhe mungesa e transparencës për financim të subjekteve politike.

Në këtë takim, ishin të pranishëm vetëm deputetët nga subjektet opozitare.

Valdete Bajrami nga NISMA tha se “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2016” i përgatitur nga Transparency International të merret seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo që ju prezantuat nuk është diçka e re dhe ato përmirësime janë minimale dhe jo të dukshme. Unë besoj që ky raport dhe ky indeks të merret shumë seriozisht sidomos nga ata në Qeveri”, tha ajo.

Ndërsa Pal Lekaj nga AAK shprehu keqardhje për metodën e luftimit të korrupsionit nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

“Është për të ardhur keq që qeveria e lufton korrupsionin në bazë të Facebook-ut e jo në bazë të ligjeve. Korrupsioni për ta është percepcion dhe jo dukuri prandaj kjo është për t’u shqetësuar”, tha Lekaj.

As Ministria e Drejtësisë nuk kishte dërguar përfaqësues në këtë mbledhje, pavarësisht se organizatorët thanë t’u kenë dërguar ftesë.

Arben Hoti gjykatës në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se ka pasur aktgjykime të rasteve kundër korrupsionit.

“Konsiderojmë që KGJK ka arritur progres në luftën e korrupsionit. Kemi aktgjykime qe bartës të lartë janë dënuar dhe besoj qe kjo është një kallxues i luftimit të korrupsionit. Në luftën kundër korrupsionit është me rëndësi qe edhe faktorët tjerë si prokuroria dhe polici të kryejnë detyrën e vet”, tha Hoti.

Këtu reagoi kryesuesja e Komisionit, Albulena Haxhiu e cila tha se lëndët e korrupsionit po mbeten sikurse jargët në këmisha.

“Unë nuk po mundem të kuptoj se si një zyrtar po pasurohet brenda natës dhe nuk ka sekuestrim të pasurisë. Po ashtu nuk mundem të pajtohem se lëndët me korrupsion të parashkruhen. E kemi rastin e (gjykatësit) Nuhi Ukës. Të gjithë ata që janë dënuar janë në nivele të ulëta që janë dënuar me gjoba ose kusht”, tha Haxhiu.

Ndërsa prokurori Shqipdon Fazliu tha se Prokuroria e Shteti ka bërë ‘progres’ në luftimin e korrupsioni dhe sipas tij kapërcimi për tri shkallë në Transparency International është meritë e këtij institucioni.

“Prokuroria e shteti ka dëshmuar se kur ka prova nuk është askush i paprekshëm”, pohoi Fazliu.

Ndërsa Afrim Atashi, përfaqësues në Agjencinë Kundër Korrupsionit tha se ky institucion është në fazën finale për çështjen e zyrtarëve të cilën nuk e kanë dëshmuar pasurinë e tyre të deklaruar në AKK.

Vitin e kaluar, emisioni Jeta në Kosovë” transmetoi një hulumtim për vjedhje të organizuar në Administratën Tatimore të Kosovës në të cilin kallxuesi Murat Mehmeti, inspektor në ATK, foli për fshehjen e hetimeve nga ana e drejtuesve të lartë të këtij institucioni.

Efekti i Kallxuesit Murat Mehmeti