Foto: RTV 21

Deportimi i 6 Turqve, Opozita Kërkon Seancë të Jashtëzakonshme për Nesër

Partitë opozitare sot kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme nesër prej orës 14:00 lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq javën e kaluar nga Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, grupi parlamentar i LDK-së.

“Mos harmonizimi i veprimeve institucionale dhe ikja nga përgjegjësia e krerëve institucional lidhur me rastin e deportimit po vazhdon edhe në trajtimin e kërkesës nga ana e Kryesisë së Kuvendit, e cila nuk po arrin të mbledh anëtarët e saj për ta shqyrtuar të njëjtën edhe pse sot është ditë pune”, thuhet në komunikatën e LDK-së për media.

Krerët institucional, përfshirë këtu Kryeministrit, Presidentin e Kryetarin e Kuvendit kanë deklaruar se s’kanë pasur informacion për këtë operacion të organeve të sigurisë.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar lirimin nga detyra të Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefit të AKI-së, Driton Gashi.