Tarçulovski gjatë rikthimit të tij në Shkup nga burgu në vitin 2013. Foto: Sinisa Jakov Marusic.

I Dënuari Maqedonas për Krime Lufte Deputet në Parlament

Ish-polici Johan Tarçulovski ka hyrë në Parlament pasi u zgjodh si deputet në njësinë e dytë zgjedhore të vendit që mbulon pjesë të verilindjes së Maqedonisë, por edhe pjesë të kryeqytetit, Shkupit.

“Ai është heroi ynë maqedonas dhe ne jemi krenarë që e kemi atë mes nesh. Kush do të punojë më mirë për interesat e Maqedonisë sesa Tarçulovski?”, tha për BIRN në kushte anonimiteti një burim i lartë nga VMRO-DPMNE.

Tarçulovski kreu 8 vjet burg nga 12 që ishte dënimi i tij para se t’i jepej lirimi i përkohshëm në vitin 2013.

Gjykata e Hagës e dënoi atë për udhëheqjen e një njësie policore që vrau civilë etnikë shqiptarë dhe kreu mizori të tjera në fshatin me popullsi shqiptare të Lubotenit pranë Shkupit.

Krimi ndodhi gjatë konfliktit të shkurtër të armatosur në vitin 2001 midis forcave të sigurisë maqedonase dhe një force tashmë të shpërbërë kryengritëse shqiptare, liderët e së cilës tani udhëheqin Bashkimin Demokratik për Integrim, parti e cila gjatë tetë viteve të fundit ishte pjesë e aleancës qeverisëse të vendit së bashku me DPMNE-VMRO.

Pas zgjedhjes së tij si deputet në parlamentin prej 120 vendesh, Tarçulovski nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike.

Megjithatë, ai ishte ndër shumë zyrtarë të shquar të VMRO-DPMNE të cilët iu bashkuan protestuesve të zemëruar në protestën e tyre treditore para Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Shkup, që synonte t’u bënte atyre presion në punën e tyre pasi po diskutonin ankesat e opozitës në lidhje me zgjedhjet – gjë e cila nëse do të pranohej mund të kishte rrumbullakosur numrin e deputetëve midis VMRO-DPMNE dhe partisë Social-Demokrate (LSDM, opozitë).

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare, VMRO-DPMNE fitoi 51 nga 120 vende në Parlament dhe social-demokratët fituan 49. Rezultatet nuk i japin një garanci asnjë partie se do të mund të krijojë një qeveri.

Megjithatë, VMRO-DPMNE këmbëngul se përkrahësit e tyre “po ruajnë fitoren e tyre të pastër zgjedhore” nga ndërhyrjet e pretenduara të huaja në Komisionin Zgjedhor.

Para votimit të 11 dhjetorit, Tarçulovski këmbënguli se zgjedhjet do të ishin një “referendum” që do të përcaktonte të ardhmen e vendit pas dy vitesh krizë të thellë politike që ai këmbënguli se ishte “imponuar” nga elemente të huaja dhe opozita.

“Maqedonia do të përcaktojë rrjedhën e saj të ardhshme. Njerëzit janë inteligjentë dhe opinionet e huaja dhe të jashtme nuk mund të imponohen sepse kushtet nuk janë si 25 vjet më parë, kur ne nuk e dinim se çfarë është demokracia”, tha ai për mediat.

Zgjedhjet nuk kanë arritur të zgjidhin një krizë të gjatë politike që filloi vitin e kaluar, kur social-demokratët bënë publike përgjime që ata thanë se tregonin që lideri i VMRO-DPMNE-së dhe qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 20,000 njerëz, ndër krime të tjera të pretenduara.

Gruevski, i cili e mori pushtetin në vitin 2006 dhe dha dorëheqjen si kryeministër në fillim të këtij viti në bazë të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE të arritur verën e kaluar, pretendon se shërbime të huaja inteligjence, të përcaktuara, “fabrikuan” kasetat e përgjimeve dhe ia dhanë ato social-demokratëve për të destabilizuar vendin.

Partia qeverisëse pretendon se protestat e shpeshta anti-qeveritare të organizuara gjatë dy viteve të fundit, të quajtura “revolucioni shumëngjyrësh”, ishin pjesë e të njëjtit skenar destabilizimi.

Në rikthimin e Tarçulovskit në Maqedoni në vitin 2013, qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE organizoi një pritje prej heroi për të në Shkup.

Që atëherë ai është bërë një ikonë për partinë në pushtet, shpesh duke mbajtur fjalime patriotike në mbledhje dhe tubime partiake.

Por, disa analistë politikë thonë se përfshirja e Tarçulovskit në politikë, si edhe çështje të tjera të pazgjidhura nga konflikti i armatosur i vitit 2001, është tepër e rrezikshme për marrëdhëniet ende të brishta ndëretnike në vend, duke shtuar edhe mosbesimin midis komuniteteve etnike shqiptare dhe maqedonase.

“Mosbesimi midis komuniteteve pengon rrugën e Maqedonisë drejt demokratizimit dhe drejt dhënies fund të krizave politike që shpesh rrezikojnë sigurinë e vendit”, tha së fundmi për BIRN analisti politik Ismet Ramadani, një ish-deputet.