Asfalti i dëmtuar në Rrugën Denjë-Kramovik | Foto: KALLXO.com

Dëmtohet Asfalti i Rrugës së Renovuar

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se rruga që lidh fshatrat Kramovik e Denjë të Rahovecit ka filluar të prishet menjëherë pas renovimit.

Qytetari në ankesën e tij thotë se asfalti i kësaj rruge është plasaritur dhe janë hapur gropa të shumta në sipërfaqet e shtruara.

Shkaktarë të këtyre prishjeve janë kamionët me pesha të rënda që kanë kaluar nëpër këtë rrugë ende pa u ngurtësuar asfalti i saj,

Rrugën Kramonik-Xërxë ku përfshihet edhe pjesa për të cilën ka ankesa se është dëmtuar, është duke e rehabilituar dhe renovuar Ministria e Infrastrukturës, e cila gjendjen e saj e konsideron të kënaqshme.

“Për cilësi bazohemi kryekëput në rezultate të atesteve të cilat merren direkt nga punishtja dhe gjer më tani rezultatet janë të kënaqshme – pozitive”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës për KALLXO.com.

Ministria tregon se ende nuk ka përfunduar rehabilitimi i kësaj rruge.

“Projekti është paraparë që të përfundojë për 90 ditë pune, kështu që sipas këtij plani në pjesën e dytë të muajit qershor 2017 rruga pritet të rehabilitohet për qytetarë”, bëjnë të ditur në Ministrinë e Infrastrukturës.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), vlera monetare e rehabilitimit të Rrugës Kramovik-Xërxë është 487 mijë e 497.77 euro.

Lidhur më këtë rrugë KALLXO.com kontaktoi edhe mbikëqyrësin e projektit Besim Bytyqi.

Bytyqi tregoi se rruga përfshin fshatrat Denjë, Çifllëk, Ratkoc dhe shtrihet deri në Malësi të Re.

Ai bëri të ditur se nuk ka pasur projekt të detajuar të renovimit të rrugës por është ndërhyrë aty ku është konstatuar se rruga është e dobët.

“Sipas paramasës, e kanë parapa vendet ku janë më të dobëta, i kanë paraparë do stacionazha dhe në ato vende ne kemi intervenu”, tha Bytyqi.

Mbikëqyrësi i projektit fajin për dëmtimin e rrugës ua la kamionëve të disa seperacioneve të zhavorrit që sipas tij qarkulluan nëpër këtë rrugë në vjeshtën e vitit të kaluar, kur asfalti i renovuar ishte ende i pangurtësuar.

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për asfaltin e plasaritur në Lagjen “Mati 1” të Prishtinës edhe pse ai asfalt sapo ishte shtruar.

http://kallxo.com/plasaritet-asfalti-shtruar-para-nje-muaji/

Edhe në vitin 2015 KALLXO.com shkroi për asfaltin e çarë dhe të deformuar në Bivolak të Vushtrrisë.

http://kallxo.com/cahet-dhe-deformohet-asfalti-i-rruges-ne-bivolak-te-vushtrrise/