Seanca per caktimin e mases se sigurise-Foto: KALLXO.com

Paraburgim për 6 të dyshuar, pronarë të kompanive dhe punëtorë, ku vdiq një person pas lëndimeve në vendin e punës

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit për gjashtë të dyshuarit në lidhje me rastin ku një person humbi jetën si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.

Një 18-vjeçar po dyshohet se më 30 shtator të këtij viti pasi kishte shkuar në vendin e punës për të mbledhur material ndërtimi, një ditë më parë ishin lëvizur pllakat nga një pjesë e ballkonit në ndërtesën e katit të dytë, janë zhvendosur dhe më pas kanë rrëshqitur mbi kokën e A.K.

Si rezultat i plagëve të marra, A.K. kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja Leonita Qevani, e cila ka thënë se ndaj 6 të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Paraburgimi është caktuar nga gjykatësja e çështjes, Vjollca Buzhala.

Prokuroria gjatë ditës së sotme ka paraqitur kërkesën për paraburgim, ku ka argumentuar se të pandehurit ishin të përgjegjshëm për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe nuk kishin ndërmarrë masat e duhura për të instaluar dhe mirëmbajtur pajisjet mbrojtëse, si dhe për të siguruar që ato të përdoren në mënyrë të duhur.

Prokurori Ramadan Koro deklaroi se të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale të asgjësimit, dëmtimit, ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe kanë rrezikuar sigurinë në vendin e punës.

Më tej, prokurori Koro theksoi se të dyshuarit kanë mundur të ndikojnë në dëshmitarë, pasi ata kanë lidhje familjare me të pandehurit që kanë punuar në të njëjtin vend të punës.

Të pandehurit Namik Gashi, Drilon Krasniqi, Armend Thaçi, Canë Krasniqi, Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi kundërshtuan kërkesën për paraburgim, dhe avokatët e tyre, Blerim Mazreku, Bekim Parallangaj, Hasan Biraj, Drenusha Berisha, Erzana Shehu-Mazrek dhe Leonita Qevani, kërkuan që të caktohet një masë alternative më e butë.

Avokati Blerim Mazreku, i cili përfaqëson të pandehurin Namik Gashi, ka thënë se pllakat e qeramikës janë zhvendosur nga persona të tjerë dhe jo nga të pandehurit. Ai theksoi se nga video-incizimet duket qartë se pllakat janë zhvendosur nga punëtorë të tjerë që nuk janë pjesë e firmës së të pandehurit.

“Nga video-incizimet shihet qartë se pasi janë vendosur pllakat e qeramikës të njëjtat largohen nga punëtorët e tjerë të cilët nuk punojnë në firmën e të mbrojturit tim. Video-incizimin në fjalë ia dorëzoj Gjykatës dhe Prokurorisë meqenëse deri më tani nuk e kanë parë ngase nuk do ta paraqitnin kërkesën për paraburgim për të mbrojturin tim” – ka thënë mes tjerash avokati Mazreku.

Në lidhje më kërkesën për masën e sigurisë gjykatësja e çështjes, Vjollca Buzhala, do të marrë vendim të veçantë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën KALLXO.com e ka siguruar, Namik Gashi, më 29 shtator 2023, mes orës 8:00 dhe 9:00, në Prizren, në vendpunishten “Lirimi 1” i pandehuri si përgjegjës-pronar për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, ku rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri si pronar i firmës “Namik'”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat e qeramikës vendosen në ballkonin e ndërtesës së katit të dytë, ku më 30 shtator 2023, të njëjtat pllaka nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A.K., i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor.

Si pasojë e lëndimeve të marra, A.K. vdes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

Të pandehurit Drilon Krasniqi dhe Armend Thaçi me datë, kohë dhe në vend të njëjtë, si punëtorë të firmës “Namik”, nuk veprojnë sipas dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në kërkesë thuhet se të pandehurit i bartin pllakat-qeramikat nga pjesa e brendshme e ndërtesës dhe i vendosin në ballkonin e katit të dytë të ndërtesës, ku më 30 shtator 2023, të njëjtat pllaka nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A.K., i cili kishte shkuar në vend punishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

I pandehuri Canë Krasniqi më 30 shtator 2023, rreth orës 09:15, në Prizren, në vendpunishten “Lirimi 1” si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në atë mënyrë që i pandehuri si pronar i firmës “Sacolor”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat e qeramikës që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon zhvendosen nga ajo pjesë e ballkonit dhe vendosen në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës, dhe të njëjtat pllaka nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A.K., i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

I pandehuri Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi me datë, kohë dhe në vend të njëjtë të përshkuar si në pikën IV të dispozitivit të kësaj kërkese për caktimin e paraburgimit, si punëtorë të firmës “Sacolor” nuk veprojnë në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në atë mënyrë që i zhvendosin pllakat e qeramikës që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon nga njëra pjesë e ballkonit në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës, ku të njëjtat pllaka nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A.K., cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.