Deklaratat e Fundit në Gjyqin e Ratko Mlladiqit

Mbrojtja dhe prokuroria në gjyqin e Ratko Mlladiq bënë komentet e tyre të fundit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë të enjten para se tr gjyqtarët t’i shtynin procedurat gjyqësore që të fillonin të shqyrtonin vendimin në lidhje me këtë çështje i cili duhet të merret në nëntor të vitit të ardhshëm.

Seanca e së enjtes pa të dyja palët të bënin të pamundurën për të hedhur poshtë argumentet e njëra-tjetrës në gjyqin katër vjeçar të ish gjeneralit 74-vjeçar të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Mbrojtja i bëri përsëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Hagës për lirimin e Mlladiqit nga 11 akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorëve se e kanë vërtetuar fajësinë e tij.

Ndërkohë prokuroria argumentoi se argumentet e mbrojtjes ishin bazuar në interpretime të pasakta dhe deluzionale të fakteve dhe se kishin shpërfillur provat. Ajo ka bërë thirrje që Mlladiq të dënohet me burgim të përjetshëm.

Mlladiq akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqyteti boshnjak, dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Prokuroria: Mbrojtja e Mlladiqit ‘shtrembëron realitetin’

“Provat tregojnë fajësinë e Mlladiqit pa as edhe një dyshim,” tha prokurori Alan Tieger në gjykatë ndërsa prokuroria ndërtoi kundërshtimin e saj ndaj argumenteve mbyllëse të mbrojtjes.

Tieger tha se argumentet e mbrojtjes bazoheshin në interpretime të pasakta dhe deluzionale të fakteve dhe duke shpërfillur provat.

Mlladiq nuk ishte një supernjeri, siç mbrojtja thotë se sugjerojmë ne, por thjesht një njeri që kishte mjaftueshëm forcë për të kaluar lehtësisht përmes Bosnjës dhe i përdori këto forca për të kryer krime dhe shkatërruar komunitetin,” tha ai në gjykatën e krimeve të luftës në OKB.

Tieger refuzoi akuzat e mbrojtjes se Mlladiq ishte në gjyq “vetëm sepse ai është serb”.

Ai këmbënguli se mbrojtja e Mlladiqit gjithashtu i përpoqe t’ia hidhte fajin ish-presidentit serb të Bosnjës dhe komandanti të lart të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

Në fakt, Karaxhiqi dhe Mlladiqi ishin “partnerë tepër të rëndësishëm në të katër sipërmarrjet e përbashkëta kriminale të listuara në aktakuzë,” u shpreh ai.

“Së bashku ata punuan me një qëllim strategjik për të ndarë serbët nga myslimanë nga kroatët dhe ranë dakord se ishte një mundësi historike për të krijuar një shtet serb me sa më pak armiq që është e mundur dhe instrumentet për ta arritur këtë,” tha ai.

Ai i kujtoi gjykatës dëshminë e dëshmitarit të mbrojtjes Luka Dragiceviq, një oficer i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili tha se serbët ishin “më të fortë, më të mirë, më të bukur dhe më të zgjuar sesa myslimanët”.

Për të vërtetuar se Ushtria Serbe e Bosnjës, e cila ishte nën komandën e Mlladiqit, spastroi etnikisht komuna në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, prokurori citoi Mlladiqin, i cili njëherë tha “se nuk ka myslimanë në Bratunac” dhe se “ishte një qytet krejtësisht serb”.

Si provë “qëllimit gjenocidial” të Mlladiqit për të shkatërruar myslimanët në Srebrenicë, prokurori citoi deklaratën e tij se “ka ardhur koha të marrim hak mbi turqit (term ofendues për boshnjakët) në këtë rajon”.

Ai refuzoi gjithashtu përpjekjen e avokatëve të mbrojtjes për të fajësuar policinë serbe të Bosnjës për persekutimin në gjashtë komuna boshnjake dhe kampet e ndalimit në vitin 1992.

Ai përsëriti se serbi i Bosnjës dhe policia “së bashku ngritën kampet e ndalimit dhe vunë në zbatim spastrimin etnik”.

Tieger tha se akuzat e mbrojtjes se Ushtria Boshnjake qëlloi njerëzit e saj në Sarajevë për të fajësuar serbët është “një pretendim që shtrembëron realitetin”.

Ai refuzoi pretendimet e mbrojtjes se kjo ishte e konfirmuar nga komandanti i forcës paqeruajtëse të OKB-së UNPROFOR, Michael Rose.

“Rose tha se ishte në dijeni të pohimeve të tilla në media, por jo se ato pretendime bazoheshin në të vërteta,” tha Tieger.

Tieger gjithashtu mohoi pretendimet e mbrojtjes se forcat serbe të Bosnjës thjesht “iu përgjigjën në mënyrë legjitime zjarrit” që vinte nga qyteti.

“Përkundrazi, i gjithë qyteti ishte vënën nën shënjestrën e bombardimeve dhe sulmeve me snajper,” tha ai.

Duke iu përgjigjur tezës së mbrojtjes se nuk kishte asnjë urdhër me shkrim të lëshuar nga Mlladiqi për vrasjen e të gjithë robërve nga Srebrenica në korrik 1995, prokurori argumentoi se, sipas dëshmive, Mlladiq e dha urdhër “gojarisht”.

Ai refuzoi pretendimet e mbrojtjes se gratë, fëmijët dhe të moshuarit nuk u dëbuan nga Srebrenica, por “u zhvendosën me besim”.

Ai citoi një oficer holandez të UNPROFOR, i cili tha se popullsisë së Srebrenicës iu ofrua një zgjedhje midis “një vdekje të ngadaltë” dhe largimit.

Mbrojtja: Prokurorët e OKB-së i keqinterpretuan faktet

“Në të gjitha aspektet e kësaj çështjeje, prokurorët s’kanë arritur të vërtetojnë përgjegjësinë penale gjeneralit Mlladiq,” tha avokati mbrojtës i Mlladiqit, Dragan Ivetiq, në gjykatë të enjten ndërsa kundërshtonte argumentet mbyllëse të prokurorisë në gjyq.

Ivetiq mohoi pretendimet e prokurorisë se Mlladiq dhe komandanti i tij suprem, presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq, ishin partnerë kryesorë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim krijimin e një shteti të ri serb duke kryer një largim të përhershëm dhe të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve nga pjesë të mëdha të territorit.

“Si mund të ketë qenë e mundur kjo, duke ditur se ndonjëherë marrëdhëniet mes Mlladiqit dhe Karaxhiqit nuk ishin të mira. Si mund të kenë bashkëpunuar ata në një sipërmarrje të përbashkët kriminale, duke e ditur se ata nuk ndanin të njëjtat qëndrime?” pyeti Ivetiq.

Duke komentuar faktin se prokuroria përfshiu urdhrin e Mlladiqit “për të pastruar zonën e Pordrinjes (një fushë e madhe e madhe të Bosnjës lindore,” si provë e mbrojtjes për persekutimin e jo serbëve, avokati mbrojtës tha se urdhri i referohej “një operacioni legjitim ushtarak që përbënte spastrimin e zonës, të cilës prokurorët i dhanë një kuptim të keq”.

“Njeriu duhet të dijë të bëjë ndryshimin midis përdorimit të atij termi në dokumentet ushtarake dhe zhvendosjes me dhunë të jo serbëve,” tha Ivetiq.

Në lidhje me akuzat e prokurorit se Mlladiqi dhe ushtria e tij mund ta ndanin lehtësisht në Bosnjë, avokati mbrojtës u shpreh se veprimet e forcave serbe të Bosnjës ishin mbrojtëse dhe jo agresive.

“Mlladiq dhe ushtria e tij mund ta ndante Bosnjën, por nuk e bëri. Në vend të kësaj ai mbrojti veten nga sulmet e Ushtrisë Boshnjake,” tha Ivetiç.

Ivetiq tha se Sarajeva “ishte një shembull praktik i një qyteti të mbrojtur, që u bë një shënjestër legjitime, sepse Ushtria Boshnjake i vuri kapacitet e saj tek civilët, që i përdori si mburoja njerëzore”.

Nga ana tjetër, Ushtria Serbe e Bosnjës “i zgjodhi me kujdes shënjestrat e saj në Sarajevë që të mos vinte në rrezik civilët”, këmbënguli ai.

Duke iu përgjigjur akuzave se Ushtria Serbe e Bosnjës shkatërroi xhami në qytetin e Foçës, Ivetiq citoi dëshmitarë që thanë se ndërtesat fetare u përdorën për qëllime ushtarake.

“Kur ka një shpjegim alternativ për një ngjarje të caktuar, ju duhet të vendosni në favor të të pandehurit,” tha ai.

Duke folur për akuzat se Mlladiç ishte përgjegjës për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995, Ivetiç tha se prokurorët “nuk e dinë kohën e takimit” midis Mlladiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, në të cilin, siç pretendohet, është marrë një vendim për të vrarë robërit boshnjakë.

“Prokurorët e pranojnë se nuk ka pasur një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte vrasjen e njerëzve para atij takimi. Si mund të vërtetosh diçka përtej çdo dyshimi, kur prokuroria thotë se nuk e di?” pyeti Ivetiç.

Mbrojtja kërkoi ta distanconte Mlladiqin nga një urdhër i lëshuar në shtator të vitit 1995, sipas të cilit ai i miratoi përdorimin e pesë ton karburant për punë inxhinierike në zonën e Zvornikut – të cilat prokuroria pretendon se u përdorën në të vërtetë për të zhvendosur varret masive me qëllim fshehjen e krimeve të kryera në Srebrenicë.

Duke mohuar që Mlladiq ta ketë ditur përmbajtjen e dokumentit, Ivetiq u shpreh “se të tjerët mund ta përdornin firmën e tij edhe nëse ai nuk ishte në dijeni të përmbajtjes”.

Mbrojtja e Mlladiqit përsëri akuzoi presidentin boshnjak të kohës së luftës Alija Izetbegoviq si përgjegjës për shpërthimin e luftës, duke thënë se ai “bëri thirrje për xhihad” kundër serbëve.