Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe përzgjedhësi i ri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes – Foto: FFK

Challandes Zgjidhet Seleksionues i Përfaqësueses së Kosovës

Bernard Challandes do ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Zvicerani Challandes ka nënshkruar sot kontratën dyvjeçare me Ferderatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, tha se Challandes është emër i njohur për futbollin zviceran dhe europian.

“Ka punuar në klubet më të njohura zvicerane, pastaj edhe seleksionues i Armenisë — 6 vite mesa di, seleksionues i U21-shit të Zvicrës”, tha ai gjatë konferencës.

Përveç çmimit të kontratës, Vokrri tha se seleksionuesi ri është zgjedhur edhe për shkak të përvojës së tij me lojtarët e rinj dhe me lojtarët kosovarë me të cilët ka pasur përvojë gjatë punës së tij në Zvicër.

Ai shtoi se FFK ka negociuar edhe me trajnerë të tjerë, por Challandes “është përputhur me kërkesat dhe mundësitë e Federatës”.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se sa është kostoja e kontratës, Vokrri u shpreh se ajo është konfidenciale, mirëpo tregoi se kontrata e seleksionuesit të ri është 2-vjeçare.

Ndërsa, ai shtoi se do të ketë bisedime me lojtarë të rinj.

“I kemi bërë disa takime sa i përket lojtarëve të cilët ka mundësi të kyçen në lojë për Kosovën. E ne qysh nga java e ardhshme jemi ne lëvizje të gjithë — si unë ashtu edhe komiteti ekzekutiv”, tha ai duke iu referuar lojtarëve jashtë vendit.

Gjatë konferencës për media, para nënshkrimit të kontratës së tij, foli edhe Challandes.

“Ekipi është shumë i ri. Deri më tani kanë bërë punë të mirë. Duhet të punojmë edhe më shumë që të marrë përvojë, që të bëjë progres. Ai është i formuar, por duhet edhe më shumë punë që ta bëjmë një familje”, tha ai.

Gjithashtu, ai tha se i njeh futbollistët kosovarë.

“I njoh mirë futbollistët e Kosovës dhe mentalitetin e tyre. Kam punuar me shumë lojtarë të Kosovës, si Behrami ashtu edhe me shumë të tjerë. E njoh mentalitetin dhe vullnetin për fitore dhe për ketë arsye e kam pranuar ofertën për të ardhur në Kosove”, u shpreh seleksionuesi.

Ai shtoi se për të do të jetë me rëndësi formacioni A.

http://kallxo.com/bunjaki-trajner-kosoves-deri-ne-fund-te-eliminatoreve/

Bernard Challandes e zëvendëson Albert Bunjakin, i cili e ka drejtuar përfaqësuesen e Kosovës që nga viti 2002.