Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova sot nis përgatitjet për ndeshjet e nëntorit

Kombëtarja e Kosovës do të nis sot përgatitjet për ndeshjet e muajit nëntor.

Në ora 18:00 sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Dardanët zhvillojnë stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm, Primozh Gliha.

“Stërvitja e parë mbahet të hënën, në ora 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gjatë ditës së premte, Primozh Gliha publikoi edhe listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e nëntorit.

Kosova përballet me Jordanin me 10 Nëntor në një ndeshje miqësore ndërsa katër ditë më vonë me 14 nëntor udhëton në Greqi për tu përballur me kombëtaren e Greqisë në kuadër të kualifikimeve për botërorin ‘’Katar 2022’’.

Primozh Gliha mori postin e trajnerit të Kosovës pas shkarkimit nga detyra të zviceranit Bernard Challandes.