Bunjaki: Synojmë ndërtimin e një ekipi kualitativ

Kombëtarja e Kosovës për grup moshat U-21 ka mbajtur konferencë për media para dy sfidave kundër Sllovenisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2023”.

Drejtori teknik, Albert Bunjaki ka thënë se synimi i tij në pesë ndeshjet e mbetura është që të arrihet 40-50 %  e pikëve që janë në dispozicion. Sipas Bunjakut synimi kryesor është ndërtimi i një ekipi kualitativ.

“Nga 23 lojtarë të ftuar në këtë grumbullim, 11 prej tyre kanë të drejtë loje në kualifikimet e ardhshme dhe këtu është edhe fokusi ynë. Pra, ndërtimi i një ekipi kualitativ për ciklin e ardhshëm kualifikues”, ka thënë Bunjaki gjatë konferencës.

Për këto dy ndeshje ka folur edhe kapiteni i Kombëtares U21, Edvin Kurtulush.

“Kemi me u mundu me u përgatit sa më mirë gjeneratën e re për kualifikimet e ardhshme dhe për t’u kualifikuar në Evropian. Besoj se me këtë ekip që kemi dhe me trajnerin aktual do të bëjmë punë të mirë“, ka thënë Kurtulush.

Kosova do të përballet me Slloveninë me 25 dhe 29 mars.