Challandes e mbyll karrierën si trajner

Federata e Futbollit e Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se ia ka shkëputur kontratën  trajnerit Bernard Challandes.

Challandes ka deklaruar se është i mërzitur që po largohet nga stoli i Kosovës.

“Kishim synim në fillim të ndërtojmë një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me punën që e kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me ketë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se e ka pasur presionin e të gjithëve për rezultate, por primare për të ka qenë që të krijoj një ekip të mirë.

“E kuptoj se na duhet rezultatet por nuk e pranoj se duhen patjetër rezultatet, sidomos në këtë grup tejet të fortë që e kemi pasur. E di që trajneri duhet të ketë rezultate dhe presioni i gjithë shtetit nuk ka qene i lehtë për federatën. Ndoshta për ju ishin të rëndësishme rezultatet por për mua ishte primare të krijojmë ekip dhe mendoj se kemi luajtur futboll të mirë. Thash se nuk jam i kënaqur me vendimin e presidentit por jam i kënaqur me punën që federata e ka bërë për mua. Jam shume falënderues për të gjithë, pasi më kanë përkrahur shumë. Iu them faleminderit jo për sot por për gjithë kohen”.

Ai ka thënë se është i mërzitur vetëm për shkak të rezultateve, duke shtuar se nuk është i inatosur.

“Shpresoj të kthehem t’i shoh ndeshjet e Kosovës në te ardhmen pasi besoj se tashmë e kemi ndërtuar hapin e parë dhe për të arritur të dytin nuk është aspak lehte. Nuk është vendim i mire që presidenti po e bën pa mua, por shpresoj që Kosova të arrij shumë pasi e ndjej veten paksa kosovar”, ka thënë ai.

Challandes ka thënë se ka qenë në Kosovë për katër vjet dhe nuk ishte vetëm përvojë e thjeshtë.

“Vendosa të vij këtu vetëm për futbollin sepse kam parë cilësitë e lojtarëve dhe e dija që mund të luaja vizionin tim të futbollit. Këtë e bëmë herën e parë por pastaj patëm probleme megjithatë kam ndjenjën se ekipi është në rugë të mirë përkundër humbjes nga Gjeorgjia. Nuk ishte e lehtë lufta me mediat dhe tifozët që kërkonin vazhdimisht fitore, por ishte shumë interesante”,  ka thënë ai.

Challandes ka thënë se ka shumë momente të mira si trajner i Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se e mbyll karrierën e tij si trajner në moshën 70 vjeçare.

“Koha me lojtarët, bashkëpunimi me federatën. Ndeshja me Azerbajxhanin mbetet momenti më i mirë sepse atëherë isha trajner i mirë kur shënuam shumë gola por tani nuk jam trajner i mirë sepse nuk po shënojmë. Ndeshja me Anglinë ku shënuam gola ishte moment i mirë, pastaj fitorja me Çekinë e Bullgarinë. Duhet të jeni krenar me këtë ekip sepse unë jam krenar me punën që e kemi bërë së bashku. Ky ekip ka të ardhme”, ka thënë Challandes.

Bernard Challandes ishte emëruar trajner i Kombëtares së Kosovës më 2 mars të vitit 2018.

Trajneri zvicerian në atë kohë u prezantua në konferencë për media nga ish-kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.

Challandes e kishte zëvendësuar trajnerin Albert Bunjaki.

Zyrtare: Challandes shkarkohet nga stoli i Kombëtares së Kosovës