
Çaushi: Është koha që ta trajtojmë arsimin si prioritet
Në emër të PSD-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po flitet për gjendjen në arsim foli deputeti Driton Çaushi.
Ai tha se është koha që arsimi të trajtohet si një tërësi e pa ndashme.
“Është koha që ta trajtojmë këtë fushë si një tërësi të pa ndashme, siç edhe kërkon thirrja e këtij debati duke e trajtuar në të gjitha hallkat e saj dhe në gjitha dimensionet e saj nga të gjitha nivelet e arsimit”, tha ai.
Çaushi shtoi se arsimi nuk duhet të shikohet si përgatitje për punë por për jetë.
Deputeti i PSD-së përmendi edhe cilësinë e teksteve të reja shkollore që janë përgatitur nga MAShT këtë vit.
“Mungesa e teksteve shkollore e ka rënduar edhe më tej sistemin arsimor, e me sa duket me të njëjtën problematikë do të vazhdojmë të merremi edhe më tutje. Mësimdhënësit e kanë më të qartë se pas një procesi dërmues të një korrikule të re, me shumë pikëpyetje, botimi i teksteve të reja përballet me kritika e vërejtje serioze nga të gjitha anët”, tha Çaushi.
Ai përmendi edhe garën e diturisë që është organizuar nga koordinatori nacional, Rexhep Hoti.
“Një test që është i pabazuar në asnjë hulumtim që do ta arsyetonte nevojën për to. Që shpenzohen shumë para nga buxheti i shtetit dhe organizohet nga një institucion i shpikur që anashkalon MAShT, pra koordinatori është një gjetje e re e qeverisë aktuale”, tha Çaushi.