Vetëvendosje kërkon seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në arsim

Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në sistemin arsimor të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur deputetja e LVV-së, njëherësh edhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Arberie Nagavci.

Sipas saj, shqetësimet janë të shumta në të gjitha nivelet e arsimit, skandalet e raportuara të përditshme dhe abuzimet të vazhdueshme si në nivel të politikave, ashtu dhe në atë menaxherial.

“Të shqetësuar lidhur me adresimet e vazhdueshme që nuk po marrin përgjigje, problemet e reja që po hasen prej kurrikulës së parashkollorit, te tekstet e reja, mungesa e çerdheve dhe mungesa e investimit në edukimin e hershëm, gjendja në Këshillin për cilësi, sistemet paralele si iniciativa dhe organizimi i garave nga Kordinatori për Rini, mungesa e investimeve adekuate në shërbim të përmirësimit të cilësisë në arsim dhe kërkimeve shkencore si dhe nga mosvendosja në rendin e ditës të interpelancës me Ministrin e Arsimit, inicuam kerkesën për seancë ku do të diskutohet në lidhje me gjendjen në arsim dhe do të rekomandohet për rrugën përpara”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Nagavci ka përmendur disa nga iniciativat që Lëvizja Vetvendosje i ka marrë për të adresuar këtë gjendje.

“Gjatë muajit shkurt kemi organizuar në Kuvend një cikël të tryezave lidhur me arsimin parauniversitar, ku kemi diskutuar gjerësisht me profesionist të fushës dhe ekspertë të arsimit. Pas kësaj kërkuam një debat parlamentar për të diskutuar për konkluzionet, por kjo u pamundësua, më pastaj paraqitëm kërkesë për interpelancë, e cila kërkesë poashtu nuk u fut asnjëherë në rend të ditës”, ka shkruar tutje ajo.

Sipas deputetes Nagavci, diskutimi në Kuvend për këtë çështje është i domosdoshëm dhe urgjent.

Në këto rrethana diskutimi me seriozitet e në mënyrë profesionale i të gjitha shqetësimeve në Kuvend është i domosdoshëm dhe urgjent. Arsimi duhet të jetë prioritet, ndryshe nuk mundësohet as zhvillimi ekonomik dhe as largimi i varfërisë”, ka theksuar ajo.