Shfaqja "Burrat e Fortë" | Foto: OSBE

‘Burrat e Fortë’ Shfaqen në Prishtinë e Graçanicë

Për herë të parë në Kosovë nën organizim të OSBE-së u shfaq dokumentari teatral serb “Burrat e Fortë” që ka për temë mënyrën se si trajtohet burrëria në kulturën ballkanike.

Koncepti, regjia dhe dramaturgjia e “Burrave të Fortë” është bërë nga Milena Bogavac dhe Vojislav Arsiq.

Mesazhi që u përçua nga ky dokumentar lidhet me  përpjekjet për tejkalimin e normave të imponuara kulturore që i pengojnë të rinjtë të jenë ata që janë.

Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë tha se përmes kësaj shfaqjeje po përpiqen të shtojnë diskutimet për atë se çfarë përfaqëson sot një “burrë i ri”.

“Janë problemet që të rinjtë, djemtë e rinj në veçanti po i shfaqin në botën e tanishme për atë se çfarë do të thotë të jesh mashkull sepse tridhjetë vjet më parë ne kemi menduar se është e thjeshtë, shumë e qartë por identiteti mashkullor ka ndryshuar dhe gjenerata e re aktualisht djemtë e rinj nga të 12-at deri te të 20-at janë duke përjetuar një koncept krejt ndryshe nga eksperienca e djemve 30 vjet më parë,” tha Braathu.

Dokumentari teatral “Burrat e Fortë” përveç në Prishtinë u shfaq edhe në Graçanicë.

Jan Braathu gjithashtu tha se është i lumtur që shfaqja u mirëprit nga publiku kosovar.

“Ka shumë njerëz në Beograd që janë kundër asaj që regjimi i Millosheviqit e ka bërë në Kosovë dhe jam i kënaqur që njerëzit këtu janë të hapur. Kjo dha një porosi shumë të mirë për Kosovën dhe unë e respektoj këtë,” tha Braathu.

Gjatë shfaqjes  u paraqitën edhe disa nga historitë dhe përvojat personale të aktorëve dhe bashkautorëve nga koha e ish-Jugosllavisë, luftërave në këtë ish-shtet dhe pavarësisë së republikave të tij, bombardimit të Beogradit, Marrëveshjes së Kumanovës, luftës, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, vrasjes së Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, etj.

Shkëmbimet kulturore në relacionin Prishtinë-Beograd janë shumë të rralla. Vitin e kaluar KALLXO.com shkroi për muajin e artistëve kosovarë në Beograd dhe atë të artistëve serbë në Prishtinë.

Rotacioni Artistik Prishtinë-Beograd

Më herët, në vitin 2013 në kryeqytetin e Serbisë u shfaq ekspozita e jetës së familjes Bogujevci të Podujevës, pjesëtarë të së cilës u vranë gjatë luftës nga forcat serbe.

Shërimi i Bogujevcëve Përmes Rrëfimit

Redaktoi: Bekim Muhaxheri