Shërimi i Bogujevcëve Përmes Rrëfimit

Tre nga pesë të mbijetuarit e masakrës së familjeve Bogujevci e Duriqi kanë gjetur mënyrën që nëpërmjet artit ta tregojnë dhimbjen e tyre dhe të shërohen prej saj. Më 28 mars 1999, kur Serbia festonte ditën e shtetësisë, u vranë 14 anëtarë të këtyre familjeve. Ekspozita “Bogujevci-historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, prej së mërkurës është e hapur në Beograd, në kryeqytetin e vendit, në emër të të cilit u vranë këta njerëz. Saranda, Jehona e Fatos Bogujevci, atëherë ishin fëmijë, ndërsa të plagosur rëndë, mbijetuan. Ata mbetën gjallë, siç thoshte Zef Pllumi, “për me tregue”. Ekspozitën e vizitoi edhe kryeministri serb Ivica Daçiq, ndërsa hapjen e saj tentuan ta pengojnë ekstremistët djathtistë të Serbisë.