Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit nesër vendosin nëse do të vazhdohen 230 kontratat mbi vepër

Nesër pritet që të vendoset për vazhdimin e kontratave e 230 punëtorëve të cilët kanë hyrë në valën e fundit të punësimeve në ndërmarrjen Telekomi i Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Bedri Istrefi i cili ka thënë me iniciativën e re, vazhdimi i kontratave mbi vepër për këta punëtorë është i pashmangshëm.

“Na e kemi thënë edhe publikisht, nëse e shohim se në iniciativën që e kemi nisë për shitjen e ‘sketch kartelave’, që ka nevojë për përgjegjësi financiare dhe na duhet që patjetër më vazhdu për më i mbulu shpenzimet operative unë do të ja vazhdoj sepse nuk kam rrugë tjetër”, tha ai.

Tutje Istrefi ka thënë që stafi në fjalë është i nevojshëm për këtë ndërmarrje deri sa të krijohet një qëndrueshmëri financiare.

“Unë do të ja vazhdoj tash, nesër ose pasnesërm, nëse këta prape nuk po munden me i kry obligimet e mia karshi obligimeve financiare dhe këtë projekt për kartelat që kanë qenë në vlerë prej 7 milion euro, atëherë na patjetër që këtë staf të caktuar me detyra specifike na bëjmë të mundshme deri sa të krijojmë një qëndrueshmëri financiare në Telekom”, tha tutje ai.

Istrefi në prononcimin e tij për KALLXO.com tha që nuk do të nënshkruar kontrata të rregullta por vetëm “kontrata mbi vepër në kohë të caktuar dhe për detyra specifike”.

Ndërsa kryesuesja e bordit të drejtorëve Besa Shatri-Berisha, tha për KALLXO.com se vazhdimi i kontratave ose jo të punëtorëve nuk është përgjegjësi e bordit, por shtoi se nesër do të marrin informatë nga menaxhmenti.

“Ky është vendim i menaxhmentit, se nuk merret bordi me këto tema, nuk janë tema të tonat, as nuk i aprovojmë as shqyrtojmë, na nesër do të kemi mbledhje të bordit besoj që si informatë do ta na jep drejtori dhe do të kam përgjigje”, tha ajo.

Me gjithë problemet e mëdha financiare, Telekomi i Kosovës gjatë qeverisjes Haradinaj është mbipopulluar me punëtorë e staf të ri.

Në një dokument ekskluziv, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, dëshmohet se nga shkurti 2018 deri në shkurtin e vitit 2019 në këtë ndërmarrje është rritur numri i punëtorëve për 234 persona.

Ndërmarrja ka të punësuar hiç më pak se 121 persona në Departamentin e Marketingut.

Dokumenti në formë raporti i është dërguar ministrit Valdrin Lluka nga Besa Shatri-Berisha, kryesuese e bordit të Telekomit dhe bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.