Kopertina e librit elektronik.

BIRN Publikon Librin Elektronik për Gjykatën Speciale në Kosovë

BIRN ka publikuar një e-book mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, që synon të rrisë kuptimin në lidhje me gjykatën e re të themeluar së fundmi që do të gjykojë ish-guerilasit për krime gjatë dhe pas luftës.

Libri elektronik i BIRN-it, i titulluar “Dhomat e specializuara të Kosovës: Nga hetimet tek aktakuzat”, i botuar të martën, përfshin analiza ekspertësh, intervista dhe raporte arkiv që gjurmojnë historinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës që nga hetimi fillestar i Këshillit të Europës për krimet e kohës së luftës dhe ato të pas luftës nga luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës deri te themelimi i gjykatës së re që do t’i gjykojë ata në Hagë.

Para aktakuzave të para, BIRN përpiloi arkivin e tij të gjerë në lidhje me këtë temë në një guidë gjithëpërfshirës për mënyrën se si do të funksionojë gjykata, cilat janë sfidat e saj kryesore dhe çfarë kanë për të thënë lojtarët kyç në lidhje me akuzat dhe ndjekjet e ardhshme penale.

Libri elektronik mund të shkarkohet pa pagesë në gjuhën angleze, shqipe, serbe dhe maqedonase.

“Themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës është shoqëruar me polemika – gjykata shihet si e njëanshme në Kosovë, sepse ajo shënjestron vetëm një grup etnik, ndërsa në Serbi ajo është përshëndetur si shpresa e fundit për drejtësi për serbët e Kosovës. Në këtë atmosferë të nxehtë, ne besojmë se ky libër elektronik mund të jetë një mjet i çmuar për këdo që ka ndjekur këtë rrugë torturuese drejt drejtësisë,” tha redaktorja e librit, Marija Ristiq, drejtore e programit të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkani të BIRN.

“Ne shpresojmë gjithashtu që ai do të kontribuojë në një mirëkuptim më të mirë të çështjeve komplekse që kanë të bëjnë me sjelljen e njerëzve para drejtësisë për krimet e kohës së luftës – një nga vlerat thelbësore të punës së BIRN-it në fushën e drejtësisë tranzicionale,” shtoi ajo.

Edhe pse me bazë në Hagë, Gjykata Speciale është ligjërisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por e pavarur nga sistemi gjyqësor i Kosovës dhe me staf ndërkombëtar, ndërkohë që të gjitha vendimet dhe emërimet që kanë lidhje me gjykatën do të merren Bashkimi Evropian.

Dhomat e Specializuara do të kenë juridiksion mbi krimet që kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 dhe që janë kryer ose kanë nisur në Kosovë, që do të thotë se ajo mund të ndjekë penalisht krimet e kryera në Shqipëri, pasi shumë nga të burgosurit që u morën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u mbajtën nëpër kampe në veri të Shqipërisë.

Ajo do të dëgjojë çështje që ngrihen nga raporti i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me akuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.

Kopertina e librit elektronik.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti i SIFT u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili pretendonte se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Thaçi i mohoi akuzat dhe që kur u bë president në shkurt të këtij viti, ai ka mbështetur publikisht themelimin e gjykatës së re.

Gjatë 17 viteve të fundit që nga përfundimi i luftës, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të dobëta – më pak se 20 vendime përfundimtare në rastet e krimeve të luftës. Serbia ka ndjekur penalisht shtatë që kanë lidhje me luftën në Kosovë.

Megjithatë, besohet se prokuroria e Kosovës nuk mund të trajtonte çështje delikate kundër zyrtarëve të lartë, që ishte edhe një nga arsyet pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të ngrinte gjykatën e re.

Për ta shkarkuar këtë e-book, klikoni këtu.

Për të shkarkuar versionet pdf, klikoni këtu.