Bilall Sherifi prezanton projekt-rezolutën për kompensimin e mësimit në arsim 

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, si inicues i kërkesës së jashtëzakonshme të Kuvendit për kompensimin e orëve të humbura në arsim, e arsyetoi thirrjen e kësaj seance.

Sherifi shtoi se ideja e thirrjes së kësaj seance erdhi si rezultat i mos pranimit që këto orë të mësimit të zëvnedësohen me ditë të tjera siç janë para paraparë sipas plan programit arsimor.

“Nëse debati është duke u zhvilluar gjithandej Kosovës, pse të mos zhvillohet një i tillë edhe nga deputetët e Kuvendit se çfarë është duke ndodhur në këtë çështje. Të kufizohemi në çështjen e thirrur nga 42 deputetë”, tha ai.

Ai e shpalosi edhe propozim- rezolutën e iniciuesve të seancës.

“Greva tre javore në arsim e këtij viti, pa pasur për pasojë humbjen e shumë orëve të mësimit, rrjedhimisht edhe shumë njësive mësimore të parapara me program të Ministrisë së Arsimit. Kuvendi i Kosovës, konsideron që plotësimi i plan-programit i paraparë nga Ministria e Arsimit është i domosdoshëm. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe drejtorët e  drejtorive komunale për arsim që urgjentisht, brenda javës së ardhshme të gjejnë mënyrën për të mbajtur orët mësimore të humbura gjatë grevës së këtij viti”, thuhet në propozimin e iniciuesve të seancës.

Sipas Sherifit në këtë seancë nuk duhet të linçohet askush.

“Nuk është ideja të linçojmë askënd apo të shpallim armik të arsimit askënd, as të shpallim mik të arsimit dikë tjetër, por të  shprehim shqetësimin tonë se si të dalim nga kjo gjendje”, theksoi ai.