Beteja e Kosovës Kundër Piraterisë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në bashkëpunim me ARSIS Consulting organizuan tryezën mbi “Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale”, për të diskutuar rëndësinë e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe ndikimin që mund të ketë ajo në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në këtë tryezë veçanërisht është diskutuar për rëndësinë e të drejtave të autorit, luftimin e piraterisë, ndryshimet legjislative dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.

Nikoqiri i tryezës Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), tha se pirateria rrezikon prodhuesit gjithashtu edhe shtetin, e në veçanti ato shtete ku zbatueshmëria e ligjit është e dobët, sikurse bënë pjesë edhe Kosova.

“Pirateria nuk i rrezikon vetëm të drejtat e krijuesve të veprave në fjalë. Ajo kufizon edhe burimet e shtetit për mbledhjen e të hyrave, përpjekjet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja, rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës. Cenon sigurinë e të dhënave të kompanive e individëve të cilët përdorin softuerë të falsifikuar, u pamundëson atyre përdoruesve të nxjerrin benefite të plota”, tha Zeka.

Ai gjithashtu ka thënë se në vitet e fundit, falë edhe themelimit të Taks Forcës për Luftimin e Piraterisë janë shënuar hapa pozitivë në aspektin e luftimit të piraterisë dhe rritja e mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale në përgjithësi.

Desislava Mateva, avokate nga ARSIS Consulting, foli për mbi rreziqet e përdorimit të programeve të palicencuara apo të falsifikuara. Ajo shpjegoi se, së bashku me kompanitë për prodhimin e programeve softuerike kanë krijuar një aleancë të quajtur The Software Alliance (BSA) që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave autoriale dhe ngritjen e vetëdijes te konsumatorët nga rreziku i përdorimit të softuerëve piratë.

Valon Kashtanjeva nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, deklaroi që Kosova tashmë e ka të formuar sistemin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.

“Kosova tani ka një sistem me të drejta pronësore intelektuale të krijuar. Krahas institucioneve që bëjnë politikat janë edhe institucionet e zbatimit të të drejtave, përfshirë edhe Inspektorati i Tregut dhe Dogana e Kosovës,” tha Kashtanjeva.

Ai gjithashtu përmendi faktin se 70 për qind e pasurisë së kompanive në botë bazohet në pasurinë jomateriale, ku pjesën më të madhe përbënë pasuria intelektuale.

Në këtë tryezë, gjithashtu morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qeveritare.

Lulëzim Syla, kryeinspektori i tregut, foli mbi luftimin e piraterisë që ka bërë ky institucion dhe ndryshimet legjislative, pastaj Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), tregoi për ndikimet që ka pirateria në të hyrat në buxhetin e shtetit si dhe Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, shpjegoi rrezikun nga keqpërdorimi i të dhënave personale.