Bekim Jashari: Nuk më Befason Bojkotimi i Sami Lushtakut

Komuna e Skenderajt sot do të duhej të mbante seancën e Kuvendit Komunal, ku pritej të shqyrtoheshin dy pika të rendit të ditës, parku i biznesit në Marinë dhe propozim vendimin për zgjedhjen e tre aksionarëve të një kompanie.

Mirëpo në mungesë të kuorumit, seanca nuk është mbajtur.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari nëpërmjet një komunikate për media njoftoi qytetarët me zhvillimet e fundit, pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit Komunal.

Ai tregoi se një pjesë e këshilltarëve komunal të PDK-së kanë lëshuar seancën, dhe si pasojë bllokuan punën e Kuvendit, shkruan rtv21.tv “Qeverisja e kaluar nuk e ka parë të arsyeshme që në plan zhvillimor të Komunës për pesë vjet,  mos të ndaj më shumë se 6 hektarë zonë ekonomike, edhe atë ku në Runikë duke pasur hapësira të mjaftueshme dhe vende më të mira dhe joshëse për vizitorët”, tha Jashari.

Jashari përmendi me emra asamblistët e PDK-së, AKR-së dhe Vetëvendosjes për të cilët tha se kjo mundësi për zhvillimin ekonomik të Komunës po ju pengon atyre.

“Nëse kështu vazhdon kjo logjikë e bllokimit të punës së Kuvendit, ne do të veprojmë konform dispozitave ligjore në fuqi, në mënyrë që të dalim faqebardhë karshi besimit që na kanë dhënë qytetarët”, shtoi Jashari.

Kryetari u bëri një apel qytetarëve. “Unë mjaft kam duruar deri sot, i ka ardhur fundi që me çdo kusht me bllokua Bekim Jasharin, që mos me mund me dal i suksesshëm në punë. Nuk janë duke mundur me lënë asnjë formë pa e shfrytëzua për interesa të ngushta personale të tyre.

Vetëdijesohuni e thojuani në sy sikur unë, se nuk dua të lëshohem më thellë se do të merret drejtësia me ta. Me gjithë ato prona që i kanë uzurpuar apo i kanë dhënë në mënyrë të paligjshme”, theksoi kryetari.

Jashari tha se nuk di përse po bëhet i tërë ky bllokim, me veprime të cilat siç tha ai janë para luftës me kryetarët që me forcë e dhunë kanë ardhur në pushtet. Në konferencë, Jashari nuk la pa akuzuar edhe ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun.

“Ata e dinë fortë mirë çfarë kanë bërë me këtë vend, i kanë marr informatat që Bekimi nuk do t’ua mbulon të keqen kërkujna. E këtu është ka ju dhembë atyre”, tha ai.

Jashari është befasuar me tre asamblistët e AKR-së, që në seancën e fundit ishin të pranishëm, por jo me bojkotimin e Sami Lushtakut. “Sepse Sami Lushtaku edhe babën tim edhe mixhën tim në 93-tën i ka lënë e ka ikë në Gjermani”, përfundoi Jashari./ 21 Media