Foto: Presidenca e Kosovës

Situata me sigurinë, Presidentja Osmani takohet me ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së

Presidentja, Vjosa Osmani ka diskutuar sot për zhvillimet e sigurisë në vend, me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

“Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovës” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej, njoftimi thotë se Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatet tanë.

Ky diskutim vjen pas sulmit të ndodhur nga një grup terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku. Ndërsa nga kundërsulmi i Policisë u vranë edhe tre sulmues.