Bekim Jashari përkujton sulmin e dytë ndaj Jasharajve nga forcat serbe më 1998

Ish kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka përkujtuar sulmin e dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz, nga forcat serbe më 22 janar 1998.

Bashkë me asamblistë e bashkëpunëtorë, Jashari ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.

Përmes një shkrimi në Facebook, Jashari ka thënë se 25 vite më parë pushtuesi serb në mënyrë tinëzare ia mësyu edhe njëherë tjetër familjes Jashari, me qëllim të arrestimit të komandantit Adem Jashari.

“Rezistencën e bëri gjyshi me djemtë e ri të familjes, Fitimin 17 vjeçar, Besimin 16, Kushtrimin e Igballin 14 si dhe Blerimin 13 vjeçar.Babushi Hamëza nga shtëpia bashkë me gratë, vajzat dhe femijët tjerë, ku pas 45 minuta luftimesh, arritën që të zbrapsnin pushtuesin serb duke lënë të plagosur shumë polic serb” – ka shkruar ndër të tjera Jashari.

Me 22 janar 1998 në Prekaz kishte patur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër. Ky njihet si ‘sulmi i dytë’ ndaj Kullës së Jasharajve, pas atij ‘të parit’ në dhjetor të 1997-ës.