Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Jashari pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj Driton Mehajt dhe Bahri Nuredinit

Driton Mehaj dhe Bahri Nuredini, ish-zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare kanë dalë para gjykatës së Prishtinës, për t’u ballafaquar me rrëfimin e dëshmitarit Bekim Jashari, ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve në Aeroportin e Prishtinës dhe ish-kryetari i Skenderajt.

Sipas Prokurorisë Speciale, Bahri Nuredini dhe Dirton Mehaj akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Jashari është ftuar në cilësinë e ish-kryetarit të bordit të drejtorëve në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Për këtë rast si dëshmitare është ftuar edhe ish-ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Që të dy janë prezentë në Gjykatë dhe pritet që të vazhdojnë me dhënien e dëshmive të tyre.

Në maj të vitit 2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në ASHNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik ‘TCN International Sh.P.K.’ nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit të vitit 2022.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK.