Bajrami: Rritet Numri i Ankesave të Konsumatorëve

Bajrami tha para komisionit se është rritur numri i ankesave të konsumatorëve për produktet pa afat, edhe pse nuk saktësoi nëse rritja ka ndodhur për shtim të produkteve të tilla, apo vetëdijesim të konsumatorëve.

“Neve na u ka rrit numri i ankesave të konsumatorëve dhe kjo qoftë për shkak se është rrit numri i produkteve jokualitative apo me afat të skaduar në treg, ose është rrit vetëdija e konsumatorëve. Kisha dashtë me besu edhe unë që është rritë vetëdija e konsumatorëve,” tha ministrja Bajrami.

Interesimin për çështjen e mbrojtjes së konsumatorit dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve e ka shprehur deputetja e LDK-së Vjosa Osmani duke e pyetur ministren rreth produkteve ushqimore me afat të skaduar.

“Besoj që secili prej nesh është përfshirë edhe çdo ditë shohim afate të skaduara në ushqimet të cilat rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve sidomos të fëmijëve. Pra kemi afate të skaduara edhe në produkte që u jepen fëmijëve të vegjël,” tha Osmani.

Asaj nuk i interesoi numri i rritur i ankesave, por shtroi pyetjen se çfarë ndodh pas këtyre ankesave.

Bajrami tha se ndëshkimi më i madh operatorëve ekonomikë të pandershëm ju vjen nga ana e konsumatorëve.

“Ne kemi Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, mirëpo jo të gjitha ankesat që vijnë nga konsumatori janë në mandatin e ministrisë për t’i zgjidhur. Ka ankesa të cilat vijnë në sektorin e sigurisë së produkteve për të cilat menjëherë reagojnë inspektorët tanë. Dhe ka të tilla për kualitetin apo afatin e skadimit dhe këto ankesa nga departamenti ynë i përcillen në formë të shkruar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe merret përgjigje sesa janë zgjidhur këto ankesa,” foli në mënyrë të përgjithësuar Bajrami.

Deputetja Vjosa Osmani u interesua edhe për aplikimin Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë OBT.

“Pyetja ime konkrete është ku jemi tani saktësisht në aspektin e numrave dhe në aspektin kohor. Kur përafërsisht mendoni që do të bëhet aplikimi, a pritni së paku që do të bëhet gjatë mandatit tuaj?” pyeti Osmani.

Ministrja Hykmete Bajrami tha se do të aplikohet gjatë këtij mandati në OBT.

“Sa i përket Organizatës Botërore të Tregtisë ne kemi lobuar. Nuk mund të them saktësisht se ku jemi me numra. Sugjerimi i shumë anëtarëve ka qenë që duhet të shkojmë si anëtar vëzhgues, e pastaj të presim një situatë. Na është sugjeruar që të marrim mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Unionit Evropian dhe Gjermanisë dhe jemi duke punuar. Në atë drejtim është i angazhum edhe vetë Kryeministri, kemi biseduar edhe me  ambasadat në Kosovë. Ne definitivisht mendojmë që aplikacioni  do të dorëzohet gjatë këtij mandati,” shpjegoi Bajrami.

Bajrami përveç përgjigjeve në pyetjet e deputetes Osmani raportoi para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane për  punën e ministrisë, si dhe për produktet dhe tregtinë e Kosovës me vendet e rajonit.