Bajram Gecaj: Pa Fakte, Territorin Mund ta Marrim me Luftë!

Zëvendës Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha gjatë emisionit “Jeta në Kosovë” se nuk ka pasur nevojë të bllokohet puna e Kuvendit për çështjen e demarkacionit.

“Nuk ka pasur nevojë kurrë të bllokohet parlamenti për këto çështje sepse kjo marrëveshje është dashur të shkojë në parlament dhe komisioni përkatës është dashur t’i angazhojë ekspertët për të na bindur a është kështu apo ashtu”, tha Gecaj.

Ai e la mundësinë e hapur për rinegocim të marrëveshjes me Malin e Zi, nëse ka fakt që punët nuk kanë ecur mirë.

Në rast të kundërt, ai tha se opsion është lufta.

“Nëse ka fakte mund të shkoni të negocioni edhe me Serbinë, edhe me Shqipërinë, edhe me Malin e Zi. Nëse doni me marrë territor pa fakte, duhet me hy në luftë”, tha Gecaj.

Ai është edhe kundër idesë që çështja të zgjidhet përmes arbitrazhit ndërkombëtar.

“Me arbitrazh ne do t’i shpenzonim nja 3-5 milionë euro në atë proces. Por ne nuk kemi problem me Malin e Zi sepse Mali i Zi ka shprehur vullnet të diskutojë këtë nëse ne i prezantojmë fakte. Unë po e shoh që ne kemi problem të brendshëm”, u shpreh Gecaj.

Ai tha se më shumë i beson konkluzionit të Departamentit Amerikan të Shtetit që thotë se demarkacioni me Malin e Zi është bërë në mënyrë të rregullt, e jo hartave të Institutit Gjeografik ushtarak të ish Jugosllavisë, të cilave u referohej deputeti Shpejtim Bulliqi gjatë emisionit.

“Sa është kredibil Instituti Gjeografik ushtarak, të merremi vesh. Është ajo ushtri që e  ka masakru popullin tonë’.

Por Bulliqi reagoi ndaj kësaj deklarate të Gecajt.

“As z. Gecaj as dikush tjetër nuk mundet m’i dashtë amerikanët më shumë se unë”, tha Bulliqi.

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: