Shqiptarë e serbë në Slivovë kundërshtojnë lokacionin e ndërtimit të strehimores për qentë endacakë (VIDEO)

Banorët e fshatit Slivovë përmes një peticioni drejtuar Komunës së Prishtinës po kundërshtojnë lokacionin ku është vendosur të ndërtohet strehimorja dhe parku për qen endacakë në këtë fshat. Kjo pasi parcela e ndarë është afër shtëpive të banimit si dhe shkollës fillore “Filip Shiroka”.

Në fshatin që gjendet 24 kilometra nga Prishtina, komuna në vitin 2022 kishte ndarë rreth 10 hektarë për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, lokacion i cili po kundështohet nga banorët. Ata thonë se nuk kanë qenë në dijeni për lokacionin e kësaj strehimoreje deri kur ka nisur puna në terren para pak ditësh.

Qëndrimet e banorëve lokalë

Jakup Ramadani, drejtor i shkollës fillore “Filip Shiroka” në një deklarim për Kallxo.com tha se situata është shqetësuese pasi lokacioni ka distancë nga shkolla vetëm 200 metra në vijë ajrore.

“Kjo situatë për momentin është mjaft shqetësuese, sidomos për shkollën dhe banorët që jetojnë në afërsi sepse të ndërtosh një strehimore për qentë endacak në mes të fshatit dhe në afërsi të shkollës-diku 200 metra largësi në vijë ajrore është shumë e dëmshme. Unë këtë nuk e kam ditur deri kur kanë nisur punimet, nuk kemi qenë të njoftuar, nuk është mbajtur asnjë debat”- u shpreh ai.

Sipas tij, meqë aty do të ketë edhe park për qentë, kjo do të ndikojë në shpërqendrim të nxënësve por edhe zhurmë për banorët në afërsi.

Parcela e propozuar per ndertim te strehimores

“Kjo do ketë ndikim edhe tek nxënësit sepse të gjitha dritaret janë të kthyera nga ajo pjesë, nuk e di çfarë pune e aktiviteti do zhvillohet kur fëmijës ndoshta më shumë ia tërheq vëmendjen ajo pjesë kur të lehin qentë e të bëhet zhurma, nuk e di çfarë pune do bëhet kur të ndëgjohen ulërima të qeneve tek shkolla”- shtoi tutje Ramadani.

Sipas rregullores, ndërtimi i një strehimoreje të tillë duhet të jetë në distancë 500 metra nga shtëpitë e banimit.

Bojan Simijonoviq, banor i fshatit në një deklarim për Kallxo.com u shpreh se kur të vijë pranvera dhe moti të jetë i mirë, fëmijët do të duan të dalin e të shëtiten në natyrë, por nuk do të kenë mundësi ta bëjnë këtë.

“Nuk është me rregull që të ndërtohet përskaj shtëpisë, përskaj shkollës apo përskaj ambulantës, sepse kjo rrezikon standardin e jetesës. Duhet të veprohet sipas modelit të Zvicrës, Gjermanisë, apo shteteve tjera të Evropës, sepse sikur atje të ndërtonin kështu, nuk do të mbetej asnjë banor atje”- u shpreh ai.

Çfarë thonë zyrtarët komunal?

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës javën e kaluar dolën në vendngjarje për të dëgjuar shqetësimet e banorëve, këta të fundit u kërkuan që projekti të implementohet në prona të tjera në afërsi ku nuk ka banorë dhe nuk e pengojnë askënd, si në Koznicë që ndodhet rreth 3 kilometra larg këtij fshati.

Banorët thanë se kanë edhe biznese në afërsi që mund të dëmtohen nga afërsia me një strehimore të tillë. Ata potencuan se nuk janë kundër që një strehimore e tillë të ndërtohet, por jo në zonë afër shtëpive të banimit.

Një banor tjetër serb i këtij fshati i kërkoi komunës që t’u ndërtojnë ndonjë fabrikë jo strehimore për qen.

Derisa, zyrtari për çështje të sigurisë në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj për Kallxo.com u shpreh se në të dhënat e komunës nuk figuron se në afërsi të kësaj parcele ka shtëpi banimi.

Ai bëri me dije se do të shqyrtojnë shqetësimet e banorëve edhe do të vendoset nëse projekti do të implementohet në distancë më larg apo fshat tjetër.

“Ne kemi dal në teren edhe më herët, por kemi dal në këtë nivel (prej lartë) nuk ka shtëpi përreth dhe kemi menduar që është krejt në rregull. Megjithatë ne strehimoren diku duhet ta bëjmë, kudo që e bëjmë qytetarët do të ankohen. Megjithatë ligji e thotë që 500 metra strehimorja duhet të jetë larg shtëpive dhe për këtë shkak duhet ta rishqyrtojmë” – theksoi Gecaj.

Gecaj tutje theksoi se më ndërtim të kesaj strehimoreje do të mundësohej edhe punësimi i shumë banorëve të fshatit e cila në total pritet të ketë 40-50 punëtorë.

Masat e komunës për zgjidhje të problemit me qentë endacakë

Qytetarët në vazhdimësi raportojnë për sulme nga qentë endacakë nëpër zona të ndryshme të qytetit, derisa gjendje më e rëndë është gjatë stinës së dimrit.

Në Kosovë nuk lejohet vrasja (eutanazia) masive e qenve, përpos në rastet kur qeni është i sëmurë apo shumë agresiv. Qeverisja komunale është munduar që situatën me numrin e madh të qenve ta zbus me trajtim (kastrim, sterilizim, vaksinim) e pika ushqyese.

Strehimore tjetër për qen endacakë komuna ka ndërtuar edhe në Hajvali si dhe fshatin Honrovc. Në strehimore bëhet kryesisht trajtim i qenve (kastrim, strelizim, vaksinim) dhe më pas lëshohen në vendin ku janë marrë. Por, strehimorja ne Slivovë përfshin edhe parkun për qen, e cila sipas banorëve mund të shkaktojë zhurmë si dhe ndotje ambienti.

Përpos strehimoreve, Komuna e Prishtinës këtë vit ka nisur edhe subvencionimin me 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qen endacakë, masë kjo për ulje të numrit të qenve që llogaritet se vetëm në rajon të Prishtinës janë rreth 5 mijë.

Po ashtu, Komuna ka të shpërndara mbi 20 pika ushqyese për qen në disa zona të qytetit me qëllim të uljes së numrit të sulmeve ndaj qytetarëve.