Foto: Kallxo.com

Avokatja: Nuk e Dinim Përmbajtjen e Urdhrit të Gjykatës për Sekiraqën

Kosovare Kelmendi, avokatja e Enver Sekiraqes, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, tha sot se i mbrojturi i saj pjesërisht e ka shkelur urdhrin e paraburgimit dhe kjo qëndron.

“Unë dua të ju lus të keni durimin të dëgjoni se si ka ardhur deri te kjo shkelje pa dashur që ta justifikoj atë”, tha ajo në seancën kur po shqyrtohet caktimi i masës së sigurisë.

“Më datë 19 tetor pas orës 17:00 unë sii mbrojtje e Sekiraqës kam pranuar një telefonatë nga një zyrtar i EULEX-it, i cili përmes telefonit më ka komunikuar urdhrin e Gjykatës”, tha ajo.

Sipas avokates, zyrtari i EULEX-it i ka thënë: “”Klientit tuaj i është zëvendësuar paraburgimi me arrest shtëpiak. Urdhrin e kemi nisur në burgun e Dyzit ndërsa juve avokate urdhrin do t’ua dorëzojmë nesër”.

“Unë menjëherë e kam telefonuar vëllain e tij dhe të njëjtit ia kam përcjellë njoftimin siç më është thënë në telefon dhe ky lajm mori dhenë nga familjarët e të akuzuarit duke mos qenë në dijeni as unë e as familja për urdhrin e Gjykatës, respektivisht për kufizimin plotësues së bashku me arrestin shtëpiak”.

Enver Sekiraqa është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës rreth 30 orë pas lirimit nga paraburgimi.

Kthimi prapa grilave ndodhi me urdhër të Gjykatës së Apelit pas dyshimeve se ai shkeli urdhrin e Gjykatës, e cila ia ndryshoi masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

http://kallxo.com/lirohet-enver-sekiraqa/

Enver Sekiraqa është i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës.