Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës 30.08.2023- FOTO: Laurant Berisha- KALLXO

Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës (30.08.2023) - FOTO: Laurant Berisha- KALLXO

Vrasja e Triumf Rizës - Enver Sekiraqa do përballet me dëshminë e dy dëshmitarëve të tjerë

Arben Selmanaj, dëshmitar i propozuar nga Prokuroria e Gjon Kqira dëshmitar i propozuar nga avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, do të dëgjohen si dëshmitarë në gjykimin për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza, pasi Gjykata aprovoi propozimet e parashtuara nga palët në procedurë.

Kqira sipas avokates së Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, ishte personi që ishte dërguar nga Selmanaj si ndërmjetësues te tashmë i akuzuari, pas një përleshje të dhunshme në dhjetorin e vitit 2005 në lokalin Swiss Casino.

Kurse Selmanaj si personi më i afërt i të ndjerit, si dëshmitar i prokurorisë u propozua për të rrëfyer kërcënimet e vazhdueshme të cilat i akuzuari i kishte bërë të ndjerit Triumf Riza, pretendon prokuroria.

“Arben Selamanaj ka dhënë arsyetimin se i njëjti ka qenë personi më i afërm, pothuajse më i afërti i tani të ndjerit Triumf Riza dhe i njëjti do të dëshmojë lidhur me ashtu siç e kemi theksuar me herët kanosjet e vazhdueshme që i akuzuari i ka bërë tani të ndjerit Triumf Riza”- u shpreh prokurori, Shpëtim Peci.

Lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Selmanaj, kundërshtime kishte nga pala e akuzuar. Avokatja e të akuzuarit renditi tri arsye për mos dëgjimin e të njëjtit. Një ndër to ishte dhe periudha kohore për dëgjimin e të njëjtit, arsyeja tjetër sipas avokates është se nuk ka të bëjë me ngjarjen që kishte ndodhur në “Siwss Casino” për të cilën është duke u zhvilluar një procedurë tjetër gjyqësore dhe arsyeja e tretë sipas Kelmendit është se prokuroria në mungesë të provave të tjera, po mundohet të sajojë një provë rrethanore për të rënduar pozitën e të akuzuarit.

“1. Tani 17 vite pas ngjarjes, që nga faza e hetimeve dhe përgjatë gjithë procedurës gjyqësore maratonike, Arben Selmanaj asnjëherë të vetme nuk ka qenë i propozuar si dëshmitar nga pala akuzuese 2. Mund të jetë dëshmitar dhe do të kishte relevancë dëshmia e tij në rastin e quajtur Swiss Casino e cila procedurë gjyqësore është aktive në këtë gjykatë 3. E tërë kjo është duke ndodhur që në mungesë të provave me çdo kusht të sajohet së paku një provë rrethanore”- kundërshtoi propozimin për dëgjimin e Selmanajt, Kosovare Kelmendi.

Avokatja potencoi faktin se tre prokurorë paraardhës të prokurorit aktual, Shpëtim Peci, nuk e kanë parë relevante dëgjimin e këtij dëshmitari në çështjen penale kundër Arben Berishës, i cili është duke vuajtur dënimin për vrasjen e Rizës.

E njëjta kërkoi nga Prokurori që ta pajisë me deklaratën e dëshmitarit, që e ka dhënë në vitin 2008 para organeve të rendit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjyqtari, Agim Kuqi, refuzoi propozimin e mbrojtëses Kelmendi, që Sekiraqës t`i ndryshohet masa e sigurisë nga ajo e arrestit shtëpiak në atë të paraqitjes në stacion policor me arsyen se kanë pushuar kushtet për vazhdim të arrestit shtëpiak pasi që në këtë masë klienti i saj gjendet që dy vite e katër muaj.

Paraprakisht këtë propozim e kundërshtoi prokurori Peci, duke thënë se ende ekzistojnë arsyet për vazhdimin e arrestit shtëpiak.

Seanca e radhës për këtë rast do mbahet më 19 dhe 21 mars të këtij viti.

Kujtojmë që Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.

Herën e parë ( 17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vite dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar ( 16.09.2019) me 30 vite dënim me burgim.

Çfarë thotë aktakuza?

KALLXO.com kishte siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30 gusht 2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor më Shërbimin Policor të Kosovës.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellë lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzën kundër Enver Sekiraqës.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë shpirë deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismjalin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Swiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vet Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës.

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke përpjekje për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.

Shënim: Artikulli është edituar në 14:11 minuta, duke ndryshuar emrin e njërit prej dëshmitarëve të ftuar.