Gjykimi për korrupsion - Foto: KALLXO.com

Avokatja: I akuzuari Lluka me çdo kusht ia krijoi mundësinë Pacollit për blerjen e aksioneve

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Bankës Ekonomike, Valon Llukës dhe Raif Rexhepit, të cilët sipas pretendimeve të Prokurorisë kanë kryer veprën penale – shpërdorim i detyrës zyrtare, u dha fjala përfundimtare.

Mbrojtësja e palës së dëmtuar, avokatja Shpresa Berisha – Rexhepi, deklaroi se i akuzuari Valon Lluka me çdo kusht ia krijoi mundësitë për bartjen e aksioneve familjes Pacolli.

Prokurori i shtetit, Fetih Tunuzliu, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se Prokuroria është mbështetur në prova të pranueshme të cilat bindin se dy të akuzuarit janë kryes të veprës penale si dhe janë vërtetuar akuzat për të pandehurit veç e veç dhe se i akuzuari Raif Rexhepi nuk kishte mohuar të ketë lidhur  një kontratë të tillë, për shumën rreth 2 milionë euro.

Për dy të akuzuarit, Tunuzliu kërkoi që të dënohen sipas ligjit.

Prokurori shtoi se vepra penale nga të akuzuarit  është kryer me dashje. Ai kërkoi që të akuzuarit Lluka t’i konfiskohen 20 % e aksioneve.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Shpresa Berisha –Rexhepi, në fjalën e saj përfundimtar, kërkoi nga Gjykata dënim sipas ligjit për dy të akuzuarit, duke theksuar se që nga fillimi i lidhjes së kontratës me Savianon ka pasur mashtrim.

Ajo shtoi se i akuzuari Valon Lluka me çdo kusht ia krijoi mundësinë për blerjen e këtyre aksioneve familjes Pacolli, me ç’rast Lluka e kishte tradhtuar Savianon me premtimet e tij.

Edhe avokatja kërkoi nga Gjykata të sjellë aktgjykim dënues dhe Valon Llukës t’i konfiskohen 20 % e aksioneve.

Nga trupi gjykues, mbrojtja e palës së dëmtuar avokatja Shpresa Berisha- Rexhepi kërkoi që si rrethanë rënduese Gjykata ta ketë parasysh edhe kanosjet e të akuzuarit Rexhepi që ishin bërë në drejtim të avokates.

“Kërkoj që për të akuzuarin Raif Rexhepin si  rrethanë rënduese të këtë kanosjen që më është bërë në sallën e gjykimit pa prezencën e trupit gjykues me fjalët: “Ty kam me të shti n’shtatë parë dhe”, tha avokatja Shpresa Berisha- Rexhepi.

Mbrojtësi i  të akuzuarit Raif Rexhepi, avokati Selatin Ahmeti në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se Prokuroria me asnjë provë materiale nuk ka mundur të vërtetojë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën po ngarkohen.

Ai shtoi se klienti i tij nuk ka marrë asnjë mjet për pagesën e aksioneve të Aziz Stafajt dhe Saviano Tosoros, dhe se asnjë provë nuk e posedojnë as Prokuroria, as përfaqësuesja e palës së dëmtuar por as vetë Aziz Stafaj.

Nga Gjykata avokati kërkoi të sjellë aktgjykim lirues për dy të akuzuarit.

Ndërsa në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari Raif Rexhepi tha se kjo aktakuzë është e rrejshme dhe e trilluar.

“Kjo aktakuzë e përpiluar nga prokurori Lulzim Sylejmani është e trillume, e rrejshme si dhe e përbërë nga njerëz mafiozë”, tha i akuzuari Rexhepi.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Valon Lluka, avokati Isa Salihu në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se kjo aktakuzë është ngritur në bazë të pretendimeve të paqëndrueshme dhe jo mbi bazën e fakteve dhe argumenteve.

Më pas theksoi se për klientin e tij nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale me dashje, ku shtoi se më së miri sqarohet me deklaratën e Lulzim Berishës, i cili kishte deklaruar se ka pasur autorizim nga Saviano për nënshkrimin e kontratës dhe kërkoi nga Gjykata që të shpallë aktgjykim lirues për të akuzuarit.

Kryetari i turpit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, njoftoi se shpallja e aktgjykimi do të bëhet më 28 shkurt.

https://kallxo.com/ish-drejtori-i-bankes-ekonomike-rrefen-bartjen-e-aksioneve-te-afrim-dhe-selim-pacolli/

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Bankës Ekonomike në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Saviano Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Gjithmonë sipas Prokurorisë ai në vitin 2011 kishte marrë pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit Rexhepi dhe shtetasit italian Tesoro, edhe pse kishte qenë në dijeni për ekzistimin e një kontrate të lidhur mes tyre në janar 2008, dhe se ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të regjistrimit të aksioneve të blera nga TEXO – S.R.L, e përfaqësuar nga Saviano Tesoro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Lluka kishte lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit, Raif Rexhepit  dhe blerësit, Afrim Pacolli.

Gjithashtu, Prokuroria e  akuzon Valon Llukën se gjatë vitit 2010 nuk ka nxjerrë vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Saviano Tesoron.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Raif Rexhepi nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Tesoros, pas marrëveshjes me Tesoron përmes personit Aziz Tafaj ia kishte bartur përmes transferit bankar shumën prej 2.400.000 euro Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave t’i blejë aksionet dhe t’i bartë në emër të Tesoros.

Mirëpo, në aktakuzë thuhet se Rexhepi nuk iu kishte përmbajtur marrëveshjes dhe e kishte mashtruar me prezantim të rrejshëm të dëmtuarin Tesoro, se kinse do t’ia bartë aksionet në emër të tij, dhe kur i kishte blerë aksionet në të njëjtën bankë duke arritur vlerën e aksioneve në 20%, të njëjtat nuk i kishte bartur fare në emër të Tesoros.

Ndërkohë, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete.