Apeli lë në fuqi dënimin për Xhevdet Januzajn që akuzohet se vrau babanë e vajzës të cilën e kishte sulmuar seksualisht
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej 10 vitesh burgim ndaj Xhevdet Januzaj për vrasjen e G.K., që kishte ndodhur në vitin 2021 në Pejë.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Xhevdet Januzaj kishte gjuajtur 13 herë në drejtim të të ndjerit i cili si pasojë e plagëve kishte vdekur.
Në vendim thuhet se gjuajtjen e parë Januzaj e kishte bërë në momentin që i ndjeri ka tentuar të rimbushë armën e cila paraprakisht i kishte bllokuar.
Kolegji i Apelit i kryesuar nga Beqir Kalludra dhe me anëtarët Xhevdet Abazi dhe Zyhdi Haziri, me aktgjykimin e datës 29.12.2023, kanë vendosur që tërësisht të aprovojnë aktgjykimin e shkallës së parë dhe me këtë kanë refuzuar ankesat e Prokurorisë, mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara.
Gjykata e Pejës me aktgjykimin e shpallur me datë 25.07.2023 kishte ndryshuar veprën penale nga vrasja e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe për këtë ka dënuar Xhevdet Januzaj me 10 vite burgim.
Vendimi i tillë tashmë ka marrë formë të prerë.
Trupi gjykues i cili ka marrë këtë vendim përbëhet prej kryetarit Murat Hulaj dhe anëtarëve Nushe Kukaj – Mekaj dhe Arben Mustafaj.
Vendimi i marrë nga ky trup gjykues nuk gjeti pajtim as nga Prokuroria, as nga mbrojtja e as nga palët e dëmtuara ku secili prej këtyre palëve ka parashtruar ankesë në shkallë të dytë, por që asnjëra nuk kaloi.
Seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast ishte mbajtur me datë 29.12.2023.
Xhevdet Januzaj njëkohësisht ishte shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, vepër për të cilën u dënua me gjobë në shumë prej 2 mijë euro si dhe arma u konfiskua.
Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë rrethanat për matjen e dënimit dhe dënimin e tillë e ka cilësuar si të drejtë dhe ët ligjshëm.
Përveç kësaj, shkalla e dytë ka gjetur si të drejtë edhe ndryshimin e veprës penale nga vrasja e rëndë, siç thuhet në aktakuzë, në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Lidhur me këtë, në vendimin e Apelit thuhet se ky ricilësim është i drejtë dhe është vërtetuar se Xhevdet Januzi ka ndërmarrë të gjitha veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë veprën penale të tejkalimit të mbrojtës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Xhevdet Januzaj me paramendim ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta G.K. për motive hakmarrjeje të paskrupullt.
Dosja e Prokurorisë thotë se një ngjarje e tillë ka ndodhur me datë 18.05.2021.
Dosja thotë se qëllimi ka qenë hakmarrja lidhur me një sulm fizik që i kishte bërë djali i viktimës – E. K., i cili tashmë mban epitetin e palës së dëmtuar në këtë procedurë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, arsyeja e kësaj përleshjeje kishte qenë sulmi seksual që Xhevdet Januzaj kishte kryer kundër motrës së mitur të E. K.
Për këtë sulm, Januzaj ishte shpallur fajtor dhe i ishte shqiptuar dënim me burgim prej tre vjet e gjysmë.
Tutje dosa shtjellon se i akuzuari ishte pajisur me armën e tij me të cilën ka shkuar në Pejë për të vëzhguar lëvizjet e viktimës në afërsi të banesës së tij, e sipas fqinjëve ka pasur një sëpatë teksa e priste viktimën dhe familjarët e tij në një lokal të afërt.
Pas njoftimit të fqinjëve, viktima ka kërkuar mbrojtje nga ana e Policisë por që kërkesa e tillë ka qenë e pasuksesshme.
Më pas viktima kishte shkuar në lokalin ku ndodhej i akuzuari dhe e ka udhëzuar të largohet nga aty duke iu drejtuar me fjalët: “Çu ec prej këtuhit!”, me ç’rast i akuzuari nuk ishte bindur.
Kështu viktima ka nxjerrë armën e vet me të cilën tenton të shtijë mbi të akuzuarin por që e njëjta bllokohet.
Në këtë moment, i akuzuari me armën e tij e qëllon viktimën gjithsej trembëdhjetë herë duke e lënë të vdekur në vend.
Aktakuza thotë se kjo kishte ndodhur në intervalin kohor kur i akuzuari ishte liruar nga Gjykata e Pejës për t’u mbrojtur në liri gjatë procedurës gjyqësore lidhur me sulmin seksual.
Duke u bazuar në këtë përshkrim, Prokuroria e ka ngarkuar Xhevdet Januzajn me veprën penale të vrasjes së rëndë.
E tërë kjo sipas Aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, e ngritur dy vite më parë me 14.02.2022.