Policit të dyshuar për dhunimin seksual të së miturës në Gjakovë, 3 masa të sigurisë brenda 3 muajve

E. S. polic nga Gjakova, prej kur u arrestua më 27 nëntor të vitit të kaluar e deri tani, i është ndryshuar tri herë masa të sigurisë nga ajo e paraburgimit, arrestit shtëpiak-  deri në ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për dhunimin e një të miture në janarin e vitit 2022, e për të cilën sipas prokurorisë i njëjti ishte në dijeni se e dëmtuara nuk i kishte mbushur ende 16 vjeç.

Sipas vendimit të fundit të Gjykatës së Gjakovës, të datës 26 janar të këtij viti, atij i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar viktimës në distancë më të afërt se 20 metra.

Beteja ligjore mes mbrojtjes dhe prokurorisë para gjykatave

Atij fillimisht ishte caktuar paraburgimi më 28 nëntor të vitit të kaluar, kurse pas përgjigjes së Gjykatës Supreme, rasti është kthyer në rivendosje, duke thënë se arsyet për mbajtjen e policit në paraburgim nuk janë dhënë mjaftueshëm nga dy instancat më të ulëta (Themelorja dhe Apeli).

Vendimi i Supremes është i marrur nga gjyqtarët Mejreme Memaj – kryetare me anëtarët Afrim Shala dhe Agim Maliqi, duke pranuar kërkesën e mbrojtjes të avokatit Meshari Selimaj.

Si rrjedhojë, Gjykata e Gjakovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, vendos që polici i dyshuar për dhunim e ngacmim duhet të qëndrojë në arrest shtëpiak.

Gjykata me rastin e zëvendësimit të masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak dha edhe arsyetimin e saj për këtë vendim.

Sipas gjykatës, prokuroria nuk ka bashkangjjitur prova konkrete me të cilat do ta bindte gjykatën se i pandehuri do të arratisej, ose do ta përsëriste veprën penale.

Këto pretendime të prokurorisë mbi këto rreziqe, Gjykata e Gjakovës i kishte vlerësuar si të pabazuara, dhe vlerësoi se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për ta siguruar praninë e të pandehurit.

Gjykata ka analizuar pretendimet e prokurorisë se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do të arratiset, ndërsa nuk i ka bashkangjitur ndonjë provë me të cilën do të bindte gjykatën se me të vërtetë i pandehuri ka tentuar të arratiset…” – thuhej në dosjen e gjykatës të siguruar nga KALLXO.com.

Tutje në këtë dosje thuhej se me masën e arrestit shtëpiak konsiderohet se i pamundësohet që ai të ndikojë në dëshmitarë apo pengim në rrjedhë të procedurës.

Prokuroria nuk ishte ndarë e kënaqur me ketë lehtësim të masës.

Në ankesën e ushtruar, drejtuar Departamentit për të Mitur të Apelit, Prokuroria kishte pretenduar se janë shkelur dispozita të procedurës penale kur gjykata ia kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit për E. S.

Prokuroria kishte kërkuar nga Apeli që E. S. t’i vazhdohet paraburgimi ose ky rast të kthehet prapë në rivendosje.

Sipas prokurorisë e dëmtuara/e mitura – nuk është dëgjuar ende në prokurori, e as i dyshuari E. S., ku procedura është ende në fazën përgatitore.

“Edhe pse e dëmtuara/mitura ka deklaruar në polici lidhur me rastin, e njëjta ende nuk është dëgjuar në prokurori, e po ashtu as i pandehuri, pasi që procedura përgatitore ende është duke u zhvilluar, andaj prokurori në vazhdim do të marrë deklaratat e tyre në mënyrë të hollësishme lidhur me rastin konkret”- thuhej në dosjen e prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com.

Kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit, me vendimin e fundit i cili vërtetoi arrestin shtëpiak ndaj të dyshuarit, Beqir Kalludra, është i njëjti gjyqtar që kishte vërtetuar edhe vendimin për paraburgimin e të njëjtit.

Vendimi i fundit i gjykatës

Gjykata e Gjakovës, më 26 janar të këtij viti ka refuzuar kërkesën e prokurorisë që policit t’i vazhdohet masa e arrestit, kërkesë kjo e bërë nga prokurori Sadri Alija.

Kjo gjykatë ka vendosur masën e sigurisë “Ndalimin e afrimit për t’iu afruar viktimës në distancë më të afërt se 20 metra, me gjyqtar të procedurës paraprake Sulltan Dobraj.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, prokuroria e kishte përmendur edhe liberalizimin e vizave, si “lehtësi” që i pandehuri mund të arratisej nga vendi dhe t’u shmangej procedurave ndaj tij.

Tutje, prokuroria kishte njoftuar gjykatën se është lëshuar urdhëresë për ekzaminimin e telefonit të të dyshuarit dhe të viktimës, kurse të dy ende nuk janë intervistuar nga prokuroria, meqë intervistimi ndërlidhet me provat që dalin nga ky ekzaminim, përshkruhet në dosjen e gjykatës.

Gjykata në vendimin e saj ka theksuar se pretendimet e prokurorisë ndikimit në dëshmitarë e në prova janë të pabazuara meqë ekzaminimet e provave kryhen nga institucionet shtetërore dhe nuk mund të ketë ndikim në to.

Kurse sa i përket rrezikut të arratisjes, gjykata nuk është bindur me ndonjë provë konkrete se i pandehuri ka tentuar të arratiset apo t’i shmanget bashkëpunimit me organet e drejtësisë.

Gjykata tutje ka shtuar se i pandehuri nuk ka tentuar ta shkelë masën e arrestit shtëpiak që i ishte caktuar më parë.

Gjykata me vendimin e saj ka obliguar edhe të dëmtuarën ta respektojë distancën e vendosur, ngase nëse e njëjta e cenon këtë distancë mund t’i shqiptohet gjobë.

Kurse nëse i dyshuari e shkel këtë masë, atij do t’i caktohet paraburgimi, thuhet në dosjen e gjykatës.

Masa e ndalesës vlen deri më 27 shkurt të këtij viti, në ora 21:20.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për këtë rast?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj, të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengonte më”- thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prapë vazhdon të i shkruaj me SMS, thirrje telefonike e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin pasur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A. M., veprim këtë me qëllim kërkimi që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshme i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Mbi të pandehurin rëndojnë dyshimet për veprën penale të dhunimit dhe ngacmimit, dhe i njëjti është i suspenduar nga pozita e tij.