Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Policin e dyshuar për dhunimin e të miturës në Gjakovë Apeli e lë në arrest shtëpiak

Gjykata e Apelit më 12 janar të këtij viti ka vendosur se polici E. S. duhet të qëndrojë nën masën e arrestit shtëpiak.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për dhunimin e një të miture në janarin e vitit 2022, e për të cilën sipas prokuorisë i njëjti ishte në dijeni se e dëmtuara nuk i kishte mbushur ende 16 vjeç.

Lidhur me masën e sigurisë, ndaj tij ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit më 28 nëntor të vitit të kaluar.

I njëjti vendim për paraburgimin ishte vërtetuar edhe nga Apeli më 6 dhjetor 2023.

Ndaj këtyre vendimeve, Supremes i ishte drejtuar avokati i të dyshuarit, Meshari Selimaj.

Afro 3 muaj pas, ky rast kishte marrë përgjigje edhe nga Gjykata Supreme, e cila kishte vendosur se kjo masë duhej të rishqyrtohej dhe rivendosej, i marrë nga gjyqtarët Mejreme Memaj – kryetare dhe anëtarët Afrim Shala dhe Agim Maliqi.

Gjykata Themelore e Gjakovës, duke u bazuar në udhëzimet e Supremes, kishte vendosur që të dyshuarit t’i hiqet paraburgimi dhe t’i cakohet masa e arrestit shtëpiak, nga gjyqtari Sulltan Dobraj.

Prokuroria nuk ishte ndarë e kënaqur me ketë lehtësim të masës.

Në ankesën e ushtruar, drejtuar Departamentit për të Mitur të Apelit, Prokuroria kishte pretenduar se janë shkelur dispozita të procedurës penale kur gjykata ia kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit për E. S.

Prokuroria kishte kërkuar nga Apeli që E. S. t’i vazhdohet paraburgimi ose ky rast të kthehet prapë në rivendosje.

Sipas prokurorisë e dëmtuara/e mitura – nuk është dëgjuar ende në prokurori, e as i dyshuari E. S., ku procedura është ende në fazën përgatitore.

“Edhe pse e dëmtuara/mitura ka deklaruar në polici lidhur me rastin, e njëjta ende nuk është dëgjuar në prokurori, e po ashtu as i pandehuri, pasi që procedura përgatitore ende është duke u zhvilluar, andaj prokurori në vazhdim do të marrë deklaratat e tyre në mënyrë të hollësishme lidhur me rastin konkret”- thuhej në dosjen e prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com.

Kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit, me vendimin e fundit i cili vërtetoi arrestin shtëpiak ndaj të dyshuarit, Beqir Kalludra, është i njëjti gjyqtar që kishte vërtetuar edhe vendimin për paraburgimin e të njëjtit.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për këtë rast?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj e të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengonte më”- thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prapë vazhdon të i shkruaj me SMS, thirrje telefonike e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin pasur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A. M., veprim këtë me qëllim kërkimi që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshme i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Mbi të pandehurin rëndojnë dyshimet për veprën penale të dhunimit dhe ngacmimit.