Polici i dyshuar për dhunim e ngacmim lirohet në arrest shtëpiak, prokuroria ankimon vendimin

Një ditë pasi Gjykata e Gjakovës kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak, Prokuroria ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për vendimin e lirimit nga paraburgimi të zyrtarit policor, E.S. nga Gjakova, i dyshuar për dhunim e ngacmim.

E.S .po dyshohet se në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, sipas prokurorisë.

Në ankesën e ushtruar, drejtuar Departamentit për të Mitur të Apelit, prokuroria po pretendon se janë shkelur dispozita të procedurës penale kur gjykata ia kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit për E.S.

Prokuroria po kërkon nga Apeli që E.S. t’i vazhdohet paraburgimi ose ky rast të kthehet prapë në rivendosje.

Sipas prokurorisë e dëmtuara/e mitura – nuk është dëgjuar ende në prokurori, e as i dyshuari E.S., ku procedura është ende në fazën përgatitore.

“…Edhe pse e dëmtuara /mitura ka deklaruar në polici lidhur me rastin, e njëjta ende nuk është dëgjuar në prokurori, e po ashtu as i pandehuri pasi që procedura përgatitore ende është duke u zhvilluar, andaj prokurori në vazhdim do të marrë deklaratat e tyre në mënyrë të hollësishme lidhur me rastin konkret.” – thuhet në dosjen e prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com.

Arsyet për paraburgim sipas prokurorisë, janë se i dyshuari mund ta përsërisë veprën penale apo se ekziston rreziku që do të vendos të arratiset dhe të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes.

Përveç këtyre, prokuroria po pretendon se i njëjti mund të ndikojë edhe në rrjedhën e procedurës, meqë ende nuk janë marrë përgjigje për disa prova materiale.

Në anën tjetër, mbrojtja e të dyshuarit po pretendon se prokuroria prapë nuk ka dhënë prova konkrete për rreziqet dhe arsyet e lartpërmendura.

Ajo në përgjigjen e saj ndaj ankesë në fjalë ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Supreme për këtë rast.

Gjykata Supreme e kishte kthyer këtë rast në rivendosje pas ankesës së mbrojtjes së të dyshuarit, sa i përket masës së paraburgimit.

Ankesa e mbrojtjes, të avokatit Meshari Selimaj ishte aprovuar nga kjo gjykatë.

Supremja kishte vlerësuar se caktimi i paraburgimit ishte bërë pa prova e arsye konkrete që do arsyetonin rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikut të ikjes.

Këto kushte ligjore, Supremja kishte vlerësuar se nuk janë arsyetuar mjaftueshëm nga dy instancat më të ulëta.

Gjykata e Gjakovës kishte vendosur më 28 nëntor të këtij viti se E.S. duhet të mbahet në paraburgim.

Këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Apeli, Departamenti për Krime të Rënda më 5 dhjetor.

Kolegji i Apelit, i cili e vërtetoi vendimin e shkallës së parë përbëhet nga Beqir Kalludra kryetar, dhe anëtarë Hashim Çollaku dhe Xhevdet Abazi.

“Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit E.S., anulohen aktvendimi i Gjykatës Themelore…dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit… dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje” – thuhej në vendimin e Gjykatës Supreme, i marrë nga gjyqtarët Mejreme Memaj kryetare dhe anëtarët Afrim Shala dhe Agim Maliqi.

Kjo Gjykatë në aktgjykimin e saj kishte vlerësuar se nuk mjafton vetëm përshkrimi i dispozitës ligjore pa i elaboruar faktet dhe arsyet konkrete e specifike që mbështesin rreziqet e lartpërmendura.

Kallëzimi penal kundër policit E.S. ishte paraqitur nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për këtë rast?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj e të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengoj më” – thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prapë vazhdon të i shkruaj me SMS, thirrje telefonike e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin pasur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A.M., veprim këtë me qëllim kërkimi që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshëm i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional” – thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Mbi të pandehurin rëndojnë dyshimet për veprën penale të dhunimit dhe ngacmimit.