Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i Kërkon Qeverisë Ligj Kundër Zvarritjes së Proceseve Gjyqësore

Avokati i Popullit u ka dërguar Kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri dhe gjithë krerëve të gjyqësorit dhe prokurorisë në Kosovë një raport me konstatime dhe rekomandim për nxjerrjen e një ligji.

Përmes këtij raporti Avokati i Popullit ka kërkuar nga këto institucione të propozojnë një ligj që do të mbronte qytetarët nga procedurat e stërzgjatura gjyqësore.

Sipas raportit, rreth 26% e të gjitha ankesave që pranoi Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017 ishin ankesa me pretendime për zvarritje të procedurave gjyqësore.

Duke marrë shkas nga ky fakt, ky institucion ka analizuar kornizën ligjore në Kosovë dhe atë ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme.

Raporti i referohet Kushtetutës së Kosovës, nenit 31, i cili u garanton qytetarëve gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Më tej, ky raport analizon Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një numër vendimesh të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut me të cilat janë paraparë mekanizmat për mbrojtjen e kësaj të drejte.

Ky raport analizon dy mënyrat se si shkelet e drejta për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.

E para ka të bëjë me zvarritjen e procedurës gjyqësore deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar për një rast të caktuar.

Ndërsa, sipas raportit, shkelja e kësaj të drejte ndodh edhe në rastet kur zvarritet ekzekutimi i vendimit përfundimtar, pas marrjes së një vendimi të tillë.

Më tej, ky raport vë në pah edhe vendimet të cilat ka ndërmarrë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në lidhje me krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme.

Raporti vë theksin te rekomandimi i Komitetit të Ministrave që qeveritë anëtare të Këshillit të Europës të sigurojnë mekanizma për identifikimin e procedurave që rrezikojnë të zvarriten dhe të sigurojnë mekanizma për të përshpejtuar këto raste të identifikuara.

Tutje, raporti analizon edhe rekomandimin e Komitetit të Ministrave për të krijuar mekanizma të kompensimit të viktimave të shkeljes së të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme.

Si rrjedhojë, Avokati i Popullit në fund të raportit rekomandon Qeverinë e Kosovës të nxjerrë një ligj i cili do të mbronte të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe me të cilin do të garantoheshin mjetet juridike për rastet kur ka zvarritje të procedurave gjyqësore.

KALLXO.com ka shkruar shpesh për shtyrje të seancave gjyqësore.