Avokati i Popullit

Avokati i Popullit dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet, kërkon që përfaqësimi gjinor të jetë minimumi 50%

Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, duke kërkuar që përfaqësimi gjinor të jetë minimumi 50%.

Përmes një komunikate për media, Avokati i Popullit ka thënë se sipas këtij Ligji, në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik, përcaktohet se minimumi 30% duhet të jenë femra dhe minimumi 30% duhet të jenë meshkuj.

“Avokati i Popullit vlerëson se vendosja me ligj e kuotës “së paku 30%” për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50% me 50%, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50% nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjekur ligji” – thuhet në komunikatë.

Tutje, Avokati i Popullit ka thënë se shumica e listave të subjekteve politike që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, kanë qenë të përfaqësuara me 30% femra dhe 70% meshkuj.

“Ku edhe atëherë kriter ligjor për kuotën gjinore ka qenë që në listat e subjekteve politike secila gjini të jetë e përfaqësuar me jo më pak se 30%. Në praktikë vërehet se femrat kanë qenë të përfaqësuara me 30% ndërsa meshkujt me 70%. Ndërsa, është vërejtur se pothuajse në të gjitha listat me kandidatët e subjekteve politike çdo i treti kandidat ka qenë grua, ndërsa dy kandidatët e parë kanë qenë burra” – thuhet tutje në komunikatë.

Në fund të njoftimit, Avokati i Popullit ka thënë se nuk do të kërkojë masën e përkohshme për këtë ligj, sipas tyre, duke pasur parasysh se një përcaktim identik është edhe në ligjin e shfuqizuar.