Avokati i Popullit

Vdekja e 4-vjeçares, Avokati i Popullit nis hetim për rastin

Avokati i Popullit ka reaguar pas rastit të vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova duke thënë se kanë nisur hetimet për këtë rast.

Sipas këtij institucioni, rasti do të monitorohet nga afër dhe nё vazhdimësi në mënyrë qё të “siguroj se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

“E drejta në jetë është një e drejtë universale për të gjitha qeniet njerëzore, dhe si e tillë mbrohet me Kushtetutë dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Të drejtat e tjera të njeriut ekzistojnë vetëm kur ekziston e drejta për jetën”- thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

“Mbrojtja e jetës së fëmijës është detyrimi kryesor për çdo person, institucion apo organ tjetër. Marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi” – thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit të datës 21.02.2024.

Sipas njoftimit, Avokati i Popullit do të zhvilloj hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitoroj atë nga afër dhe “nё vazhdimësi nё mënyrë qё tё siguroj se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

Një 4-vjeçare ka vdekur në QKUK më 19.02.2024, dy ditë pasi ishte sjellur nga Spitali i Gjakovës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Gjithashtu, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me trajtimin mjekësor të 4 vjeçares nga Gjakova, sqaron, se e njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore, rreth orës 15:00, të datës 17 shkurt 2024, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas ShSKUK-së, pacientja është sjellur nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore.

“Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në sqarimin e ShSKUK-së më 21.02.2024.

ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë.

Për këtë rast ka reaguar më 21.02.2024 edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) duke kërkuar hetimin e këtij rasti.