Protesta për ndriçimin e vrasjes së AuLon Zekës | Foto: KALLXO.com

Avokati i familjes: Gjykimi për vrasjen e Aulon Zekës është dëmtuar

Gjykata e Apelit të Kosovës njoftoi sot se kanë gjetur shkresat e lëndës së Aulon Zekës për të cilat KALLXO.com dje raportoi se ishin zhdukur, megjithatë, avokati i palës së dëmtuar, familjes së Aulon Zekës, vlerëson se procesit gjyqësor tashmë i është shkaktuar dëm.

Avokati Skender Musa vlerëson se vetë shtyrja e seancës së djeshme të këtij rasti e dëshmon këtë dëm.

“Ne konsiderojmë se kjo situatë e shmangies së lëndës tashmë e ka dëmtuar procesin gjyqësor në shkallë të parë për faktin se seanca e caktuar më datën 5 shtator 2018 është shtyrë si dhe është pamundësuar kryerja e disa veprimeve procedurale”, tha Musa për KALLXO.com.

Musa tha se si përfaqësues të palës së dëmtuar janë të shqetësuar me humbjen e përkohshme të lëndës.

“Nuk mund të spekulojmë se si është ndarë një pjesë e lëndës dhe ka humbur pasi që lënda ka shkuar si tërësi, Ne jemi të shqetësuar rreth krejt kësaj çështje dhe efektet që mund të shkaktoj në procedurën pranë Gjykatës së shkallës së parë”, tha Musa.

Në procesin gjyqësor për vrasjen e 16 vjeçarit Aulon Zeka po gjykohen tre të mitur i mituri i parë po mbahet në paraburgim nga 18 shtatori i vitit të kaluar.

Paragrafi 1 i nenit 68 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur parasheh që dispozitat e Kodit të Procedurës Penale përshtatshmërisht zbatohen edhe për paraburgimin e të miturit megjithatë paragrafi 2 i këtij neni parasheh që i mituri nuk mund të mbahet në paraburgim më shumë se 12 muaj nga momenti i arrestimit.

KALLXO.com kontaktoi në lidhje me këtë çështje me gjyqtaren e rastit, Albina Rama por ajo nuk deshi të komentoj se si do të procedohet apo për mundësinë e lirimit të të mitur nga paraburgimi.

KALLXO.com raportoi dje se Afrim Zeka, babai i Aulon Zekës kërkonte hetimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për të gjetur se ku ka mbetur një pjesë e shkresave të lëndës.

Po gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com raportoi se Gjykata e Apelit pretendonte se e ka dorëzuar lëndën në tërësi në Themelore ndërsa gjyqtarja e Themelores pretendonte se nuk ka pranuar shkresat e lëndës në tërësi.

Një vit më parë 16 vjeçari, Aulon Zeka, ishte gjetur i vdekur në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinës, tre të mitur të tjerë që u gjykuan për këtë vrasje u njohën me dënimet e tyre.
Jo më shumë se 24 orë pas kësaj ngjarjeje tragjike, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona të mitur, njëri i gjinisë mashkullore ndërsa tjetri i gjinisë femërore.

Një ditë më pas, Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj dy të miturve kishte caktuar masën e paraburgimit ndërsa këtë masë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Përkundër arrestimit të dy të miturve u desh që të kalonin gati dy muaj deri sa Policia e Kosovës arriti të gjejë armën me të cilën dyshohej se u vra Aulon Zeka.

Seanca fillestare ishte mbajtur në muajin dhjetor dhe të miturit ishin deklaruar se janë të pafajshëm.
Përpos dy të miturve të parë, Prokuroria kishte përfshirë në propozim edhe të miturin e tretë, i cili ngarkohej për moslajmërim të veprës penale.

Edhe pse fillimisht Prokuroria i ngarkonte dy të miturit e parë për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, në muajin shkurt, prokuroria u tërhoq nga ky pretendim ndaj të miturës së dytë lidhur me veprën e vrasjes, ndërsa e rikualifikoi pretendimin në ndihmë kryesit të veprës pas veprës penale.

Gjatë gjithë seancave të mbajtura në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shoqëria e Aulonit organizoi protesta ku kërkonte drejtësi për vrasjen e shokut të tyre.
16 prilli shënoi fundin e këtij gjykimi.

Gjykata Themelore e Prishtinës gjeti fajtor të miturin e parë dhe i shqiptoi 9 vjet e 6 muaj dënim me burg për të mitur.
Të miturës i shqiptoi masën edukativo-korrektuese prej 3 vitesh ndërsa të miturit të tretë i shqiptoi mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej 1 viti e gjysmë.

Muajin e kaluar Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.duke aprovuar kërkesat e mbrojtjes.
Seanca e ardhshme në lidhje me këtë rast është caktuar më 21 shtator.