Avokatët e Kosovës nga nesër në grevë (Dokument)
Avokatët e Kosovës që nga nesër do të hynë në grevë të përgjithshme.
Kështu ka njoftuar Oda e Avokatëve të Kosovës.
Sipas OAK, “bojkoti i përgjithshëm” që nis të mërkurën do të vlejë për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe Policinë në tërë territorin e Kosovës.
Bojkoti, sipas paralajmërimit, do të vazhdojë deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
Oda e Avokatëve thekson se mosprezenca e avokatëve nuk do të ketë pasoja juridike për avokatët dhe palët, ndërsa vendimet e Këshillit Drejtues të OAK-së janë të obligueshme për avokatë.
Po ashtu, Oda e Avokatëve të Kosovës ka kërkuar që të shtyhen të gjitha seancat.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër që të aplikojnë urdhërin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren, Ymer Hoxha, me datë 8 gusht 2018, kishte lëshuar urdhër përmes të cilit nuk u lejohej hyrja e avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave të tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.
Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se Këshilli Drejtues i OAK më 05.01.2019 në mënyrë unanime ka vlerësuar që urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i KGjK-së i datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme.
Prandaj, kanë vendosur të fillojnë grevën e përgjithshme deri në heqjen e kësaj urdhërese.