Incident në mbledhjen e Odës së Avokatëve, pretendime për sulm e sharje me nënë

Kryetari i degës së Odës së Avokatëve të Gjakovës, Ergjyment Barbullushi, po pretendon se është sulmuar me shishe dhe është sharë nga homologu i tij prizrenas, Hajrit Krasniqi.

Barbullushi në një pronocim për KALLXO.com ka thënë se sulmi ndaj tij ka ndodhur për shkak të agjendave të propozuara për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues së Odës së Avokatëve të Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej sot por që dështoi pas incidentit të ndodhur.

Barbullushi ka thënë se nga ana e tij, në emër të avokatëve të katër qyteteve Gjakovë, Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, është propozuar agjenda e ditës, e cila ka thënë se ka marrë 6 vota.

Agjendja tjetër, e propozuar, sipas Barbullushit, nga kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, mori më pak vota.

Tutje Barbullushi tha për KALLXO.com se gjatë kohës sa ishte duke folur për diskutimin që ishte duke ndodhur lidhur me cilën agjendë duhet të vazhdojë mbledhja, Hajrit Krasniqi e ka ndërprerë atë dhe e ka sharë.

“Rasti ka ndodhur pasi ishin dy agjenda, njëra nga kryetari i Këshillit Drejtues dhe tjetra që ishte propozuar nga ne degët. Të dyja dolën në votim, e jona i mori 6 vota. I bie që agjendja jonë që fitoi vota më shumë të jetë e para dhe të shkojë mbledhja në bazë të agjendës tonë. Behar Ejupi donte me vazhdu mbledhjen në bazë të agjendës së tij. Ne e kundërshtuam. Gjatë fjalës sime ndërhyri ky zotëria Krasniqi edhe i thash a ka mundësi me më lanë mua se unë e kam fjalën, ai u çu më shajti me nanë e më gjuajti me shishe. E ndërpremë mbledhjen, tentuam edhe njëherë me vazhdu mbledhjen, por nuk mujtëm se dëshironin që me vazhdu me agjendën e tyre” – tha Barbullushi.

Lidhur me rastin, për KALLXO.com është prononcuar edhe avokati Nasuf Hasani.

“Ka ndodhur pasi është lexu agjenda e pikave të rendit të ditës, është propozu, është lexu nga kryetari i Degës së Odës së Avokatëve në Gjakovë, Ergjyment Barbullushi që i ka marrë 6 vota. Ndërsa, agjenda e Behar Ejupit i ka marrë 4 vota, d.m.th. agjenda e Këshillit Drejtues” – tha Hasani.

“Ka fitu agjenda që e ka prezantu Ergjyment Barbullushi në emër të katër degëve, në emër të Gjakovës, Prishtinës, Mitrovicës dhe Pejës. Në atë moment kryetari i degës së Prizrenit, Hajrip Krasniqi e shan me nanë kryetarin e Gjakovës dhe e gjuan me shishe. Pas kësaj është ndërpre mbledhja” – shtoi ai.

Hasani dhe Barbullushi thanë për KALLXO.com se Policia e Kosovës nuk është njoftuar lidhur me rastin.

Mirëpo, ky i fundit shtoi se do t’i drejtohet Këshilli Disiplinor të Odës së Avokatëve.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka kontakuar avokatin Hajrip Krasniqi, i cili nuk ka pranuar të flasë por ka sugjeruar të kontaktohet zyrtari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besim Abdullahu.